OKB: 10 mld dollarë për përballimin e ndryshimit të klimës
Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për çështjet e ndryshimit të klimës, Yvo de Boer, thotë se vendeve të pasura do t'u duhet të mobilizojnë të paktën 10 miliardë dollarë për t'u ardhur në ndihmë vendeve në zhvillim në hartimin e planeve kombëtare për kufizimin e emetimit të gazit karbonik dhe përshtatjen me ndryshimet e klimës. Në një intervistë dhënë për BBC-në, de Boer tha se kjo shifër përfaqëson minimumin e nevojshëm. Ai shtoi se Samiti për Klimën, që pritet të zhvillohet në dhjetor në Kopenhagen, duhet të bjerë dakord për një formulë të shpërndarjes së kostos për përballimin e ndikimit të ndryshimeve të klimës. "Nëse në fund të takimit të Kopenhagës do të kem në dorë një dokument të nënshkruar nga udhëheqësit botërorë ku të thuhet se vendet e pasura do të ulin apo do të caktojnë objektiva për të ulur ndjeshëm deri në 2020-ën emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë, atëherë mund të them se kemi hedhur hapin e parë", tha de Boer . Kryenegociatori i OKB-së për klimën tha se vendet e pasura kërkohet të të ofrojnë burime të arsyeshme financiare për përballimin e ndikimit të ndryshimeve të klimës në vendet në zhvillim.