E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Ekonomia po fillon të stabilizohet

Kreu i Bankës Qëndrore amerikane deklaron se ka shenja që tregojnë se ekonomia më e madhe e botës po fillon të stabilizohet. Ben Bernanke thotë se masat agresive të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë në botë duket se kanë shmangur kolapsin ekonomik. Por ai paralajmëroi se mëkëmbja ekonomike ka të ngjarë të jetë e ngadaltë. Pas trysnisë në rritje nga investitorët dhe politikanët kreu i Rezervës Federale amerikane apo Bankës Qëndrore parashtroi strategjinë e daljes për politikat e saj, që kanë futur shuma të mëdha parash në ekonomi dhe në të njëjtën kohë edhe frikën e inflacionit. Duke kërkuar të lehtësojë shqetësimet rreth krizës më të rëndë ekonomike në dekada, kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke u tha anëtarëve të Komisionit të Kongresit për Shërbimet Financiare se politikat monetare të Bankës Qendrore po funksionojnë. Sipas tij, kushtet e sotme financiare vazhdojnë të mbeten shqetësuese dhe shumë familje e biznese e kanë të vështirë të marrin kredi. "Megjithatë në përgjithësi në muajt e fundit është vënë re një përmirësim i ndjeshëm", ka thënë bernake. Kreu i Bankës Qendrore Amerikane përmendi rritjen e besimit në tregjet financiare dhe një rritje të shpenzimeve të konsumatorëve. Por megjithë disa sinjale pozitive, ai tha se niveli i papunësisë ka të ngjarë të mbetet i lartë deri në vitin 2011, duke ngadalësuar mëkëmbjen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›