SHBA/ 100 mijë amerikanë viktima të trafikut të seksit
Sipas një raporti të fundit më shumë se 100 mijë amerikanë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare në Shtetet e Bashkuara janë viktima të trafikut të seksit. Ndërsa tregtia e paligjshme e seksit shpesh trajtohet si një sëmundje e keqe e vendeve në zhvillim, ekspertët u thanë ligjvënësve në kongres se kjo dukuri është problem serioz edhe në Shtetet e Bashkuara. Një raport i ri nga organizata Shared Hope International tregon se sa serioz dhe i përhapur është ky problem në Shtetet e Bashkuara. Sipas ish anëtarës së kongresit Linda Smith, themeluese e Shared Hope International, e cila i referohet hulumtimeve,bëhet e ditur se kjo dukuri ndodh në çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Ky studim dokumenton raste të fëmijve që janë viktimë e trafikut të seksit në gjithë vendin—nga Florida derin në Nevada, në qytete të mëdha dhe në pjesët rurale të vendit. Sipas këtij raporti, mesatarja e moshës së fëmijve që përfundojnë në prostitucion në Shtetet e Bashkuara është mes moshës dymbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeçare. Shumica e tyre kanë ikur nga shtëpitë dhe janë joshur në tregun ilegal të seksit nga burra që u kanë ofruar atyre strehim. Disa nga këta femijë janë bërë përdorues të drogës—metodë e përdorur nga tutorët e prostitucionit për t'i mbajtur nën kontroll. Rrahjet dhe kërcënimet fizike janë bërë normë. Por avokatët e fëmijve që janë viktima të trafikut të seksit thonë pavarësisht nga abuzimet që u bëhen shpesh këta fëmijë identifikohen si kriminelë, arrestohen, dhe futen në burg ose në qendra burgimi të fëmijve. Ekspertët pajtohen se mënyra më e mirë për luftimin e trafikimit të seksit është përqëndrimi i forcave që zbatojnë ligjin në eliminimin e kërkesave për këtë lloj biznesi.