E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit politikë solidarizohen me grevistët

Autori i Lajmit: Redaksia

Shoqata e ish- të përndjekurve politikë ka zhvilluar dje një takim me grevistët në çadrat e vendosura para godinës së Kryeministrisë. Kreu i shoqatës, Kurt Kola, tha se solidarizoheshin me grevistët dhe e cilësoi atë si vazhdimësi e luftës shumëvjeçare për demokraci”. Ata kanë hyrë brenda çadrave ku kanë bërë takime me grevistët dhe u kanë dhënë mbështetjen e tyre deri në fund. Ka qenë vetëm një pjesë e ish-të përndjekurve politikë që ka mbështetur grevën e Partisë Socialiste. Ndërkohë që Kurt Kola tha se kishte ardhur për të mbështetur grevistët në emër të demokracisë dhe lirisë së votës. “Kam ardhur të përshëndes e të solidarizohem me grevistët e urisë në emër të të burgosurve politikë që kanë vuajtur pikërisht për votën e lirë, për demokraci, për fjalën e lirë. Ne përfaqësojmë atë shoqatë që është krijuar më 1991 dhe që ka 20 vjet që lufton dhe punon për tu restauruar demokracia në Shqipëri, që me sa duket, akoma mungon”,- tha ai për mediat e pranishme. I pyetur për protestën e një dite më parë kundër grevës të dhjetëra ish-të përndjekurve, Kola u përgjigj se ata nuk kanë lidhje me shoqatën dhe se politika i ka ndarë. “Sistemi politik tani na ka ndarë, por ne ruajmë moralin politik tonin, për të cilin kemi sakrifikuar gjithë jetën tonë. Ekzistenca jonë është për të vendosur në Shqipëri atë demokraci të tipit perëndimor, jo të tipit lindor komunist, që na mbajti 50 vjet”,- deklaroi ai, megjithëse historikisht kjo kategori janë pozicionuar djathtas.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›