E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista Brokaj: “Grevistët të vendosur deri në largimin e Berishës”

Autori i Lajmit: Lorena Killo

Dita e gjashtë e grevës së urisë i ka gjetur më të dobët fizikisht dhe me plot probleme shëndetësore 23 deputetët dhe 200 mbështetësit që kanë vendosur të protestojnë në këtë mënyrë për zbardhjen e së vërtetës së 28 Qershorit dhe largimin e kësaj qeverie. Problemet e shumta që kanë, pasi nuk kanë ngrënë ushqim prej gjashtë ditësh, nuk janë të njëllojta për të gjithë, duke pasur parasysh moshën e ndryshme dhe anën shëndetësore të mëparshme. Mjeku dhe ish-deputeti Sabit Brokaj, tha për gazetën “Ballkan” se ka bërë detyrën e mjekut gjatë kontakteve që ka pasur me të gjithë grevistët dhe, duke besuar se mjekët janë gjithmonë realistë, alarmi i vënë nga ai për gjendjen e tyre shëndetësore ka çuar debatin për grevën në prizmin njerëzor dhe duke anashkaluar atë politik. Duke pasur parasysh gjendjen e tyre, ai tha se “ata janë të vendosur se do ta çojnë deri në fund, por shëndeti i tyre sigurisht që nuk është i mirë dhe çdo ditë që kalon përkeqësohet më tej”. Brokaj, megjithëse mbështet kauzën politike të grevës, tha se “tani zbehet aspekti politik dhe ngrihet si dominim aspekti njerëzor”. Në këto raste, sipas tij, kur kërcënohet jeta e tyre, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, kanë përgjegjësi. “Kanë përgjegjësi, jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve”, - theksoi ai.
Z. Brokaj, cilat janë problemet shëndetësore për momentin, sot jemi në ditën e gjashtë të grevës së urisë?

Gjendja e deputetëve është mjaft e rënduar. Ka filluar të shfaqet ajo sindromë që është kërcënuese tek njerëzit, që kufizon marrjen e produkteve ushqimore, si kaloritet, por veçanërisht elektrolitet dhe substancat e tjera jetësore. Kjo, sipas ekzaminimit mjekësor, në dy-tre deputetë vërehet hipertension, ulje tensioni, që mund të bëhet shkas për të pasur probleme, sidomos kur kalohet nga pozicioni i shtrirë në këmbë dhe më pas më rëndë akoma.
Çndodh me ata që janë diabetikë?
Ata e vuajnë më shumë, sepse tani vërehet çrregullimi i glicemisë, pra ulja e sheqerit në gjak, si pasqyrim i mosmarrjes së sheqernave. Në deputetë të caktuar vërehet çrregullimi i ritmit të zemrës, diku ritëm 50 e ca në minutë, diku natyrisht i lartë. Të gjitha këto shfaqje tregojnë se janë prishur ekuilibrat në organizëm dhe kur prishen këta ekuilibra në organizëm, kërcënimi është imediat. Si mjek parashikoj dhe më të keqen, ndaj e quaj kërcënim real për jetën vazhdimin e grevës.

A mund të kemi rrezik për humbje jete?

Dihet që edhe në persona të cilët mbajnë dietë të rreptë, domethënë me ushqim të kufizuar, jo me ndalesë të plotë të ushqimit për të ulur peshën, ndodhin vdekje të papritura dhe kjo është e njohur. Por ata po mbahen mirë për sa i përket kujdesit mjekësor.
Sot ku data shënon 05. 04. 2010, pra në ditën e pestë të tyre kemi raste me komplikacione të rënda?
Fatmirësisht, sot nuk ka pasur të shtruar urgjent në Spitalin Ushtarak, të paktën deri në momentin që flasim. Sigurisht, situata paraqitet alarmuese, sepse moskonsumimi i ushqimit të sjell çrregullime për një ditë dhe jo të rrish 5 ditë pa ngrënë.
Çmendim keni si ish-deputet, jo si mjek?
Unë, të them të drejtën, jam shumë i irrituar nga situata që duhet të jepet një rrugëzgjidhje sa më shpejt. Unë i mbështes ata që po sakrifikojnë jetën e tyre për zbardhjen e së vërtetës së 28 Qershorit. Ata po dhe unë ndihem “vital” për këtë gjë që ata po bëjnë. Jemi më të vendosur se kurrë, grevë pa limit deri në largimin e kësaj qeverie.
A do të kemi raste të tjera të rënda në përkeqësimin e shëndetit të grevistëve. A janë marrë masa për këtë?
Sigurisht që situata sa vjen e po rëndohet, sepse me kalimin e ditëve kemi dhe ndërlikim të situatës. Mjekët janë në vëzhgim të plotë për rastet që paraqiten dhe u jepet ndihma e parë atje ku janë të vendosur në çadrat e tyre dhe në rast se shëndeti i grevistit rëndohet, atëherë i nisim në Spitalin Ushtarak ku rrinë në kontroll të plotë deri në përmirësimin e tyre. Shoh një ngritje morale të tyre, sepse edhe rastet e fundit që janë nisur drejt spitalit, pasi janë përmirësuar disi, janë rikthyer sërish në grevë pa u dorëzuar.

“Gjendja e deputetëve po përkeqësohet”

Në ditën e dytë të grevës, mjeku Sabit Brokaj në një konferencë për shtyp paraqiti gjendjen e deputetëve grevistë. Brokaj theksoi se deputetët kanë luhatje tensioni, dhimbje barku dhe koke, por në aspektin moral ata mbahen aq mirë, saqë maskojnë edhe ndonjë shqetësim tjetër. Sipas tij, ka probleme shëndetësore të deputetëve grevistë, nuk kishte rreziqe, por theksoi se situata mund të agravohet, pasi deputetët nuk do të konsumojnë ushqim. 23 deputetë të Partisë Socialiste që nga dita e premte kanë hyrë në grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›