OKB: Gjendja në Haiti një nga më të vështirat
Organizata thotë se operacionet e ndihmës janë më të vështira se ato të ndeshura gjatë cunamit aziatik në 2004. Ajo tha se aeroporti i Haitit është i tejmbushur, rrugët janë të bllokuara dhe infrastruktura që është e padëmtuar, është shumë e paktë. Katër ditë pas tërmetit në Haiti, po ka edhe shqetësime të shumta se çështja e sigurisë në vend, mund të verë në rrezik operacionet shpëtuese. Një zyrtar i lartë i OKB-së, Alain Le Roy, tha se kishte rëndësi të sigurohej që situata në Haiti nuk dilte jashtë kontrollit. Ai paralajmëroi se uria mund të shkaktonte probleme, ndërsa ndihmat nuk shkonin te të mbijetuarit shpejt. "Ka patur disa incidente ku njerëzit kanë vjedhur dhe janë përleshur me njëri-tjetrin për ushqim. Është e qartë se ata janë të dëshpëruar. Kanë tre ditë që disa prej tyre janë pa ushqime apo ndonjë lloj ndihme. Pra është e qartë se ka disa incidente, por në përgjithësi situata ende mbetet nën kontroll." OKB po forcon patrullat e policisë dhe ato ushtarake në Port-au-Prince. Admirali Ted Branch i marinës amerikane tha se siguria, sidomos në vendet ku uleshin helikopterët amerikanë kishte rëndësi. Ai tha se nëse trupat amerikane përballeshin me përkeqësim të situatës, kjo do të ngadalësonte ndjeshëm, operacionet e ndihmës. Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se do të jetë një sfidë e madhe të dërgosh ndihmë në Haiti shpejt dhe jashtë rrezikut. Zoti Obama tha se SHBA po kryente një nga përpjekjet më të mëdha të ndihmës në historinë e vet.Bashkë me të në Shtëpinë e Bardhë për këtë vlerësim ishin dhe dy paraardhësit e tij, Bill Clinton dhe George W Bush, që po drejtojnë përpjekjet për sigurimin e fondeve. Zoti Bush tha se ajo çka për të cilën kishin nevojën haitianët nga amerikanët ishin paratë. Ndërkohë të paktën 50 mijë vete dihet se janë varrosur deri më tani, por numri i të vdekurve pritet të jetë edhe tre herë më i lartë se ai numër. Në Port au Prince, kamionë të mbushur me kufoma kanë dërguar trupat pa jetë në varreza masive jashtë qytetit. Mijëra trupa të tjerë pritet të jenë nën gërmadha. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, shkon në Haiti të shtunën për të parë nga pranë situatën në terren. Ajo do të pasohet të dielën nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon që tha se donte të tregonte solidaritet me popullin e Haitit. OKB ka bërë thirrje për më shumë se 500 milionë dollarë për të ndihmuar viktimat e tërmetit. /bbc/