E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, Hyseni do takohet me Ban Ki-Munin

UASHINGTON-Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni do të takohet ditën e hënë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, ka njoftuar Ministria e jashtme e Kosovës.

Në njoftim theksohet se zoti Hyseni ka bërë kërkesë për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, që pritet të mbahet më 3 gusht.

Ndërkohë, Hyseni ndodhet në SHBA, Ministri i jashtëm i Kosovës që ku dhe ka deklaruar për mediat se parashikon që shumë vende, së shpejti, do ta njohin Kosovën, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia ishte legjitime.

“Disa vende më kanë premtuar mua personalisht se do ta njohin Kosovën, pas vendimit të GJND-së”, tha zoti Hyseni, mbrëmë vonë, në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Ai theksoi se Kosova e ka ripërtrirë fushatën e saj për sa më tepër njohje dhe për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Në këtë kuadër ministri Hyseni u shpreh se beson se Kosova do të njihet edhe nga vendet, siç janë Spanja dhe Greqia.

Hyseni theksoi se pavarësia e Kosovës “nuk paraqet precedent për asnjë vend tjetër në botë”. Rrjedhimisht, “çfarëdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si precedent, në fakt, është përpjekje për ta dëmtuar shtetësinë e Kosovës dhe progresin e saj ndërkombëtar”, tha Skender Hyseni.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›