E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB dhe BE reagojnë pas dhunës në Egjipt

Pas përleshjeve të përgjakshme midis të krishterëve dhe myslimanëve në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka paralajmëruar egjiptianët të kujtojnë ndërrimin historik të pushtetit në shkurt.

Ban u ka bërë thirrje autoriteteve të qeverisë kalimtare, të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe ato të shtetasve për të gjithë egjiptianët, pavarësisht se të cilit besim janë.

Të dielën disa mijëra të krishterë koptë patën demonstruar fillimisht paqësisht kundër një sulmi me zjarrvënie të ekstremistëve myslimanë, ndaj një kishe në rajonin Assuan.

Nga përleshjet e humbën jetën të paktën 22 koptë dhe katër policë, kurse më shumë se 320 vetë u plagosën.

Këshilli Ushtarak në Egjipt, i cili luan rolin e një qeverie të përkohshme, lajmëroi gjatë të hënës për ngritjen e një komisioni shtetëror, i cili do të hetojë deri në hollësi ngjarjet e përgjakshme.

Edhe BE reagoi pas dhunës së fundit në Egjipt, me ç’rast ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, bëri fajtore edhe forcat e sigurisë, të cilat e kanë lejuar ushtrimin e dhunës.

„Ka ardhur koha që edhe udhëheqja egjiptiane të kuptojë se sa të rëndësishme janë pluraliteti dhe toleranca fetare dhe se të gjitha palët në Egjipt duhet të japin kontributin e tyre për këtë, në mënyrë që të mbrohet edhe ushtrimi i besimit fetar“, tha ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›