E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB do të diskutojë për Kosovën

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë nesër për zhvillimet e fundit tremujore në Kosovë, ndërsa material bazë do të jetë raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.

Në fillim të raportit të tij për periudhën 16 janar 15 prill të këtij viti, Ban Ki-mun, vlerëson se pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështjet kryesore në dialog, Beogradi dhe Prishtina, i kanë avancuar planet e tyre evropiane.

Në këtë aspekt përmendet se Bashkimi Evropian i ka dhënë Serbisë statusin e kandidatit, dhe se më 27 mars, komisionari për zgjerim formalisht e ka lançuar studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim Asocim ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Kjo shënon zhvillimin më pozitiv në periudhën raportuese, që ka dalë nga progresi konkret në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, thotë raporti.

Por, këto zhvillime kanë rënë nën hijen e tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese, theksohet në raportin e Ban Ki-munit, duke shpjeguar se kjo i atribuohej pjesërisht përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj dhe kundërthëniet shoqëruese për votimin në Kosovë.

Në raportin e gjatë të Ban Ki-munit, theksohen dallimet ekzistuese të pikëpamjeve ndërmjet palëve dhe ndërmjet komunitetit serb në të dy anët e lumit Ibër.

Derisa serbët e Kosovës, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës e kanë hedhur poshtë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shumë të tjerë kanë kërkuar që ato të mbahen në harmoni të plotë me ligjin e Serbisë, thuhet në raport, i cili është publikuar në faqen në Internet të OKB-së.

Ban Ki-mun përkujton se përfaqësuesi i tij special kishte shkëmbyer korrespondencë me qeverinë e Serbisë, që kishte rezultuar me marrëveshje për të mos organizuar zgjedhje lokale në Kosovë në maj, por për ta rishqyrtuar këtë çështje në një datë të ardhshme./REL/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›