E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB emëron diplomatin austriak në Bosnjë

Nju Jork -Diplomati austriak, Valentin Inzko do të jetë Përfaqësues i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë. Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mori këtë vendim në një rezolutë të hartuar nga Rusia dhe të miratuar me unanimitet nga të pesëmbëdhjetë anëtarët.

Inzko u emërua në këtë detyrë më 13 mars nga Këshilli i Zbatimit të Paqes (PIC) i mbledhur në Sarajevë, dy ditë pasi u emërua gjithashtu përfaqësues special i Bashkimit Evropian (BE) në Bosnjë.

PIC është një institucion ndërqeveritar që përbëhet nga 40 anëtarë, ndër të cilët vendet e BE-së, SHBA dhe Rusia, i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës së Bosnjës (1992-1995).
Sipas pikave të marrëveshjes së Dejtonit, Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar ka kompetenca të gjera, që i mundësojnë veçanërisht të vendosë ligje dhe të shkarkojë deputetë të zgjedhur.

Inzko, 59 vjeç do të zëvendësojë në këtë detyrë diplomatin sllovak, Miroslav Lajcak, të emëruar në janar në krye të diplomacisë së vendit të tij. Inzko është aktualisht ambasador i Austrisë në Slloveni. Ambasadori austriak në OKB, Thomas Mayr-Harting e cilësoi përpara shtypit si një "nga ekspertët më të mirë të vendit për Ballkanin Perëndimor".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›