OKB-ja po heton dëmet në Gazë

OKB-ja do të hetojë dëmin që i shkaktuan sulmet izraelite
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka njoftuar kryerjen e një hetimi për dëmin që i është bërë pronës së OKB-së në Gazë nga Izraeli gjatë konfliktit të fundit atje. Grupet për të drejtat e njeriuit thonë se ky hetim nuk mjafton. Ato thonë se në këtë rast duhet bërë një hetim gjithëpërfshirës ndërkombëtar. Gjatë ofensivës tri javore të Izraelit në Gazë mbi 40 persona u vranë nga zjarri izraelit jashtë një shkolle të OKB-së dhe një depo në selinë e organizatës u shkatërrua nga predhat izraelite. Pati gjithsej dhjetë incidente që rezultuan me dëmtimin e pronës së OKB-së. Agjensi të OKB-së ndajnë ndihma për palestinezët atje, gjë që i bën zyrtarët izarelitë të mendojë se agjensia i favorizon ata. Grupi Amnesty International thotë se hetimi nuk mjafton dhe kërkon një hetim ndërkombëtar për të shqyrtuar të gjitha pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit.