E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu dekreton 8 misione diplomatike

Prishtinë-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dekretoi sot themelimin e tetë misioneve diplomatike dhe të nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në nenin 84, pika 24 të Kushtetutës së Kosovës dhe në nenin 5, pika 1 të ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, dhe pas konsultimit me kryeministrin e Kosovës, presidenti Sejdiu ka dekretuar themelimin e misionit diplomatik në nivel ambasade në këto shtete: Republika e Sllovenisë, me seli në Lubjanë, Republika e Kroacisë, me seli në Zagreb, Mbretëria e Holandës, me seli në Amsterdam, Mbretëria e Suedisë, me seli në Stokholm, Republika Çeke, me seli në Pragë, Republika e Hungarisë, me seli në Budapest, Republika e Bullgarisë, me seli në Sofje, dhe në Japoni, me seli në Tokio.

Presidenti Sejdiu dekretoi gjithashtu themelimin e misioneve konsullore në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, në Republikën e Francës, në Republikën Federale të Gjermanisë, në Republikën e Italisë, në Konfederatën e Zvicrës, në Republikën e Austrisë, në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Mbretërinë e Suedisë. Dekretimi i misioneve diplomatike dhe i nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme udhëzohet të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e këtij dekreti.

Që prej mesit të tetorit 2008, Republika e Kosovës ka hapur dhjetë ambasada: në Uashington (SHBA), Londër (Mbretëria e Bashkuar), Bruksel (Belgjikë), Paris (Francë), Berlin (Gjermani), Vjenë (Austri), Romë (Itali), Bernë (Zvicër), Ankara (Turqi) dhe Tiranë (Shqipëri).

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›