OKB-ja shfuqizon sanksionet kundër 5 ish-zyrtarëve talebanë
Pesë ish-zyrtarë janë hequr nga lista e sanksioneve të OKB-së, në prag të konferencës ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet nesër në Londër, në të cilën pritet që të diskutohet për planin e qeverisë në Afganistan, për të bindur militantët që të ndërrojnë anët.
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka bërë trysni për heqjen e disa figurave të caktuara të talebanëve nga kjo listë, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë së tij për pajtim me militantët.
OKB-ja theksoi se Komiteti për sanksione ka aprovuar heqjen nga lista të Vakil Mutavakilit, ish-ministër i jashtëm dhe bashkëpunëtor i udhëheqësit të talebanëve, Mullah Omarit, si dhe të katër ish-zyrtarëve tjerë.
OKB-ja nuk e përmendi planin për pajtim, por theksoi se vendimi është marrë pas rivlerësimit të listës. Sanksionet kundër këtyre pesë ish-zyrtarëve talebanë ishin vendosur në vitin 2001.
Karzai ka theksuar se talebanët, të cilët nuk janë pjesë e Al Qaidës dhe të grupeve tjera terroriste, janë të mirëseardhur që të kthehen në Afganistan dhe që të vazhdojnë jetën normale.
Ai planifikon që në Londër të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për planin e qeverisë së tij, për ri-integrimin e talebanëve, të cilët pranojnë të dorëzojnë armët.