Shpërthimi demografik në Afrikë

Dikur gjatë vitit të kaluar, sipas të gjitha gjasave, ka lindur “afrikani i një miliardë”, fakt ky nga i cili mund të përfitojë kontinenti më i varfër, nëse vepron së bashku dhe arrin të bashkojë tregun e vet të fragmentarizuar.
Natyrisht, askush nuk e di se ku në 53 shtetet e Afrikës ka lindur fëmija i një miliardtë. OKB-ja ka vlerësuar se nga mesi i vitit 2008, Afrika ka pasur 987 milionë banorë, ndërsa nga mesi i vitit 2009, një miliard e dhjetë milionë banorë.
Duke pasur parasysh vështirësitë për të siguruar të dhëna të sakta nga shtetet, siç është Nigeria, ku të dhënat për popullatën nëpër provinca shpesh mbahen peng nga ambiciet e politikanëve lokalë, ekspertët ngurrojnë që të ofrojnë të dhëna, për të cilat mund të thuhet se janë të sakta.
Megjithatë, nuk ka pothuajse fare dyshim në lidhje me trendin aktual - popullata në Afrikë gjatë dekadave në vijim do të shtohet më shpejtë, se sa popullata në pjesët tjera të botës dhe pritet që ajo deri në vitin 2050 të dyfishohet.
“Përkundër faktit se kemi popullatat e mëdha në Kinë dhe Indi, një shtim më të madh të popullatës do të kemi në Afrikë dhe Azi”, thotë Gerhard Heiling, nga sektori i OKB-së për Projektimin dhe Vlerësimin e Popullatës.
Këto statistika natyrisht se nxisin krahasime me gjigantët në Azi dhe inspirojnë shpresën për valën e investimeve nga ana e afrikanëve dhe të huajve, për të përmbushur nevojat e kontinentit, i cili deri nga mesi i këtij shekulli me gjasë do të jetë shtëpi e një të pestës së popullatës së botës.
Për dallim, vlerësohet se popullata e Kinës prej 1.4 miliard banorë, do të tkurret gjatë katër dekadave të ardhshme.
Prominenca që i është dhënë Afrikës këtë vit në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, sugjeron për potencialin e madh të popullatës së madhe dhe të re në Afrikë. Por për të tjerët, kjo popullatë e madhe shërben si përkujtuese për punën e vështirë që përballen udhëheqësit në Afrikë, për të ofruar ushqim, punësim, shkolla, vendbanime dhe kujdes shëndetësore, gjëra këto të cilat ende janë të mangëta.
Dega për popullatë e OKB-së, UNFPA, ka theksuar se Afrika Sub-Sahariane përballet me “sfida serioze politike, ekonomike dhe sociale” dhe merr si shembull dy dekadat e kaluara për atë se një numër më i madh i njerëzve nuk nënkupton edhe mirëqenie dhe pasuri më të madhe.
Nga viti 2003 deri në vitin 2008, Afrika ka përjetuar një bum të paparë, si rezultat i gërshetimit të shlyerjes së borxheve, reformave të tregut të lirë dhe ngritjes së çmimit të patundshmërive, që ka shtuar për pesë apo më shumë për qind prodhimin vjetor. Më pas pasoi ngecja, si rezultat i rënies globale ekonomike, por Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një rritje prej katër për qind në Afrikë gjatë këtij viti, për dallim nga 1.9 për qind, sa ishte vitin e kaluar.
Nëse ruhet kjo rritje dhe nëse bashkohet tregu, Afrika ka gjasa që të zhbllokojë “dividentën demografike”, e cila ka ndikuar që investimet të thithen nga Kina dhe India, duke shtuar në kështu në mënyrë dramatike prodhimin, kanë theksuar analistët.
“Nëse kjo nuk funksionon, atëherë dividenta demografike nuk vlen. Do të kemi një numër të madh të shteteve të vogla dhe të paqëndrueshme, të cilat do të garojnë mes vete, siç e kemi përjetuar gjatë pesë dekadave të kaluara”, theksoi Patrick Smith, editor i revistës Africa Confidential.
Pan-afrikanizmi, përfshirë këtu madje edhe “Shtetet e Bashkuara të Afrikës”, ka qenë një kërkesë, që nga koha kur këto shtete filluan të çlirohen nga fuqitë kolonialiste, në vitet e 50-të dhe 60-të. Sidoqoftë, realiteti kurrë nuk ka qenë në përputhje me retorikën, pasi që interesat kombëtare shpesh kanë penguar forcimin e tregtisë ndërkufitare, investimet dhe bashkëpunimin politik.
Sot, tregtia brenda-rajonale përbën vetëm 9 për qind të tregtisë së përgjithshme të Afrikës.
Sidoqoftë, ka shenja se gjërat mund të ndryshojnë, para se gjithash pas marrëveshjes së arritur vitin e kaluar mes tri blloqeve kryesore - Tregut të përbashkët për Afrikën Lindore dhe Jugore, Komunitetit të Afrikës Lindore dhe Komunitetit për Zhvillimin e Afrikës Jugore - të krijuar një zonë të vetme për tregti të lirë, e cila synon tregun me 530 milionë banorë.
Sidoqoftë, kundrejt vullnetit të ri politik qëndron sasia e madhe e investimeve, të cilat nevojiten për t’iu adresuar problemeve të Afrikës. Korporata Ndërkombëtare Financiare e Bankës Botërore vlerëson se Afrika shpenzon vetëm 10 miliardë dollarë në vit, për të modernizuar rrjetin e vet të vjetruar elektrik, për dallim nga 40 miliardë dollarë që duhet të investohen gjatë 20 viteve të ardhshme.
Ngjashëm, Afrika Sub-Sahariane duhet të investojë nga 11 miliardë dollarë në vit në sektorin e bujqësisë, për të përmbushur nevojat ushqimore të popullatës së shtuar në vitin 2050.
Dhe madje edhe nëse sigurojnë këto mjete, udhëheqësit vetëm duhet të hedhin shikimin nga Afrika e Jugut relativisht e pasur, ku me miliona banorë me ngjyrë ende jetojnë në varfëri të skajshme, 15 vjet pas përfundimit të aparteidit, për të kuptuar se modernizimi i infrastrukturës nuk është një ndërmarrje gjithaq e thjeshtë. (Reuters)