OKB për varret masive në Shqipëri, mbërrin komisioneri, hetim vendeve të ekzekutimit
Një reporter i OKB-së së bashku me dy ndihësat e tij mbërrin në Tiranë për të nisur një mision për të monitoruar ekzekutimet jashtëgjyqësore ose arbitrare të kryera gjatë kohës së komunizmit. Eksperti i pavarur i OKB-së Philip Alston do të nisë një mision në Shqipëri nga 15 deri në 23 shkurt 2010, në atë që do të jetë vizita e parë zyrtare në vend e Raporterit të Posaçëm të emëruar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
Profesor Alston, i cili do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të Qeverisë, do të udhëtojë në kryeqytetin, Tiranë, dhe në rajonin e Shkodrës për të hetuar vrasjet, përfshirë gjakmarrjen dhe çështjet e mosndëshkimit dhe përgjegjësisë penale për vrasjet.
Gjatë misionit të tij, eksperti i OKB-së do të përqendrohet në monitorimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara të vrasjeve dhe shkaqet e tyre, si dhe nëse janë marrë masa ligjore efikase për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar personat përgjegjës.
Z. Alston do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë, me anëtarët e sistemit gjyqësor dhe anëtarët e organeve ligjvënëse. Në vizitën e tij do të përfshihen edhe takime me viktimat, familjarët e viktimave dhe dëshmitarët e vrasjeve si dhe takime me organizatat e shoqërisë civile. Raporteri i Posaçëm i OKB-së do të mbajë një konferencë për shtyp në Tiranë më datë 23 shkurt.