Topi pret Avokatin e Popullit Dobjani

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti në një takim Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani. Shkak për këtë takim ka qenë përfunimi I mandatit të avokatit të popullit I cili skadon në datën 17 shkurt. Në këtë takim kreu i shtetit pasi e falenderoi për punën e mirë gjatë gjithë këtyre viteve në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, e përgëzoi zotin Dobjani për përfundimin me sukses të mandatit të tij të dytë. Duke shprehur edhe vlerësimet e institucioneve homologe ndërkombëtare, Presidenti Topi theksoi se "e konsideroj një vlerë të madhe krijimin e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përparimin e tij hap pas hapi. Puna e dobishme e këtij Institucioni të pavarur duhet të shërbejë si model dhe si nxitje që ju dhe pasardhësit tuaj të vazhdoni misionin e nisur". Avokati i Popullit, Ermir Dobjani pasi e falenderoi Kreun e shtetit shqiptar për takimin dhe pritjen, i dorëzoi edhe një kopje të raportit vjetor që më parë ishte depozituar edhe në Parlament. Edhe pse nuk është bërë publike nuk përjashtohet mundësia e një riokandidimi të mundshëm të Dobjanit për postin që e ka mbajtur për 10 vite me rradhë.