E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i policisë: Si bëra luftë me Fotaq Zaharinë

 

TIRANE - Ish-oficeri i policisë kriminale të Vlorës ka dëshmuar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të Fotaq Zaharisë, i akuzuar për një sërë veprash penale, ndër të cilat edhe vrasje. Gentian Musabelliu ka treguar përpara pesëshes gjykuese të Krimeve të Rënda ngjarjen e qershorit 2005, ku u plagos rëndë nga një granatë e hedhur në drejtim të tij nga Fotaq Zaharia. Dëshmitari i thirrur nga pala e akuzës sqaroi se në dy muajt para ngjarjes, në zonat përreth qytetit të Vlorës, si në Llakatund dhe Trevllasër, ishin regjistruar një sërë ngjarjesh kriminale vjedhje me armë. Rreth mesditës të datës 29 qershor të këtij viti, ai ishte sinjalizuar në telefon për një grabitje me armë të ndodhur në Trevllazër. “Kontaktova me kolegët e mi dhe organizova punën për të shkuar në vendngjarje. Sapo arritëm aty fola me pronarët e një dyqani. Ata më treguan se ishin vjedhur nga dy vetë, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, ndër të cilat edhe një granatë”, tregoi dëshmitari. Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, menjëherë më pas ai ka ndjekur disa gjurmë këpucësh në drejtimin nga ishin larguar grabitësit. “Rruga ishte e pluhurosur dhe gjurmët kishin mbetur të qarta. Së bashku me dy oficerë të tjerë, për rreth një orë i ndoqëm këto gjurmë. Ato na çuan në një kodrinë me brezare të mbjellë me ullinj, ku ne u ndamë nga njëri-tjetri. Dëgjova nga mbrapa meje disa zëra që nuk i dallova dot të kujt ishin. Dy tre tarraca më lart pashë dy persona që mbanin në dorë, njëri një pistoletë me silenciator dhe tjetri një kallashnikov. Personi me pistoletë qëlloi në drejtimin tim. Nxora edhe unë pistoletën dhe qëllova 2 herë drejt tyre. Mora shefin e komisariatit në telefon e i thashë që u sulmuam. Qëllova sërish drejt atij me automatik, ndërsa ai qëlloi me breshëri drejt meje. Për t’iu larguar plumbave desha të kaloja një brezare më poshtë, por ndjeva një goditje pas koke, pa e dalluar se çfarë ishte dhe u shemba përtokë”, tregoi ai para gjykatës. “Vetëm kur kam mbërritur në Spitalin Ushtarak në kryeqytet mora vesh që isha plagosur prapa kokës nga një shpërthim granate. Dy ditë pas ngjarjes më sjellin një gazetë ku ishte një foto e Fotaq Zaharisë dhe atëherë unë e kuptova se personi që më qëlloi me automatik ishte Zaharia”, ka përfunduar oficeri përpara gjykatës.                    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›