Vata: Të rinjtë? Janë si robotë, por i sfidoj
• Është 36 vjeç, por nuk e ka vështirë të mbajë hapin me futbollistëve të rinj të cilët ai nuk ngurron t'i quajë edhe robotë të futbollit modern.Jetmir Halilaj Sulmuesi shqiptar Fatmir Vata është duke u aktivizuar me skuadrën e Tus Koblenz dhe është shndërruar në një prej futbollistëve kyç në këtë skuadër. "Nuk mbetem prapa ndonëse më duhet të mas gjithnjë forcat me futbollistë shumë më të rinj. Jam 36-vjeç dhe jam krenar që sfidoj futbollistë që kanë shumë më pak vite mbi shpinë se mua, madje po ju them se stërvitem më shumë se ata dhe dëmtohem më pak se ata - ka deklaruar Vata për gazetën "Hamburger Morgenpost" - Talente ka shumë, por një pjesë e madhe e tyre janë paksa përtacë dhe kjo nuk është shenjë e mirë". Vata i ka vlerësuar futbollistët e rinj si "robotë", duke shtuar se ata po e luajnë këtë sport pa asnjë ndjenjë, ndryshe nga e kaluara, kur futbolli sipas tij është luajtur me shumë emocione. "Futbollit gjerman i mungojnë personalitetet e dikurshme, si Mario Basler, Lotar Mateus e Stefan Efenberg. Ata dhuronin gjithnjë emocione dhe njerëzit çmendeshin pas tyre, por kjo nuk ndodh me futbollistët e rinj. Ata janë si robotë, pa ndjenja. Ne nuk po luajmë shah, por futboll. Në këtë sport duhet të shfaqësh emocione, të kënaqsh publikun e t'i bësh njerëzit ta shikojnë me qejf një ndeshje të këtij sporti", ka shtuar Vata. Sulmuesi te Koblenzi kaloi në verën e vitit të kaluar si lojtar i lirë, pasi kontrata me Arminia Bielefeldin i kishte skaduar dhe mosmarrëveshjet me ish-trajnerin e tij e detyruan atë që të largohej. Me Koblenzin ka kontratë deri në vitin 2009. Këtë sezon sulmuesi shqiptar ka realizuar vetëm një gol, ndërsa ka dhënë pesë asiste të shndërruara në gol, në 17 ndeshje të zhvilluara. Ndërkaq në Bundesligën 1, në të kaluarën, Vata ishte njohur si futbollisti që kishte pësuar më tepër ndërhyrje të rënda, epitet ky që këtë edicion i përket brazilianit të Verder Bremenit, Diego. Mirëpo, shqiptari shpesh ishte akuzuar edhe për simulime të shumta."Në dy sezone unë kam qenë futbollisti që kam pësuar më shumë ndërhyrje të rënda në Bundesligën 1 në të kaluarën, si Diego tani. Nganjëherë edhe jam rrëzuar pa pësuar faull, por edhe kjo është pjesë e lojës. E di që më kanë fishkëllyer, por kam qenë krenar sepse ndonjëherë veprime të tilla bëhen edhe për t'i shërbyer skuadrës për të cilën lufton dhe paguhesh. Po të isha një lojtar i dobët, tifozëve nuk do t'u interesonte fare të më fishkëllenin. Më kujtohet një herë në një ndeshje kundër Borusias së Dortmundit në Dortmund ku më fishkëllyen 75 mijë tifozë. Ishte një çmenduri, por pas ndeshjes disa prej tyre erdhën e më thanë: Fatmir, eja luaj për ne. Edhe pse pak i vrazhdë, unë e konsiderova kompliment kërkesën e tyre", ka deklaruar Vata. Koblenzi pas 19 javëve të zhvilluara në Bundesligën 2, gjendet në vendin e 12-të me 23 pikë të grumbulluara. Foto lajmNë një kohë kur Rusia përsërit pareshtur deklaratat se është kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një mesazh i fortë ka ardhur nga futbolli për këtë çështje. Në ndeshjen Marsejë-Lokomotiva e Moskës 3-0 të mërkurën në mbrëmje janë parë shumë flamuj shqiptarë dhe banderola "Kosova". Flamujt janë shfaqur sapo skuadra ruse ka hyrë në fushë, ku tifozët marsejezë kanë vazhduar edhe më tej duke thirrur në kor emrin e kapitenit të tyre, Lorik Cana, i cili është nga Gjakova.