E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjallë unë pashë, atë që kanë parë vetë të vdekurit...”

• "Gjallë unë pashë". Eshtë ky titulli i vëllimit poetik të shkrimtarit Preç Zogaj, i promovuar mbrëmjen e së mërkurës në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.MANJOLA BREGASI Një përmbledhje poezish, që e prezanton autorin e tyre në një dimension të ri dhe ndoshta të panjohur më parë. Në mbrëmjen promovuese kanë marrë pjesë emra dhe figura të njohura të letërsisë, artit, por edhe të politikës shqiptare, të cilët kanë vlerësuar vargun dhe fjalën e Preç Zogajt. "Gjallë unë pashë" është një përmbledhje poezish të zgjedhura, të cilat përmes një stili të veçantë dhe artit të fjalës përcjellin mesazhe të gjalla e të fuqishme njerëzore. Është brenda këtij vëllimi filozofikja, po aq sa edhe ndjesorja dhe e prekshmja, të cilat përmes forcës dhe vlerës së fjalës arrijnë të krijojnë asosacione të jashtëzakonshme të reales me irealen, të së zakonshmes me të jashtëzakonshmen. Përmes poezisë dhe vargut të tij, Preç Zogaj guxon të prekë gjithë kufijtë e njerëzores, gjithçka që përmban e përmbledh jetën, por madje guxon të dalë edhe përtej këtij kufiri. Janë brenda poezisë së tij, që rrjedh e qetë, por edhe e vrullshme të gjitha ndjesitë njerëzore dhe sigurisht edhe dashuria, ajo ndjesi që ka tunduar përjetësisht gjithë krijuesit. Dhe sigurisht Zogaj, tashmë me një përvojë të spikatur në fushën e letrave, gjen të veçantën për të folur ndryshe edhe për dashurinë. Poezia e Zogajt në këtë përmbledhje poetike, që lexuesit i shkon në dorë nga shtëpia botuese "Dita 2000", di të jetë origjinale në tematikë, në mesazh, por edhe në mënyrën e ndërtimit të fjalës. "Gjallë unë pashë, atë që kanë parë vetëm të vdekurit...". Është ky një varg nga poezia që i ka dhënë titullin librit dhe që nuk mund të kalojë kurrsesi pa lënë një gjurmë në kujtesën e secilit. Është një mesazh sa filozofik, aq edhe i prekshëm dhe mbresëlënës.  Të tilla vijnë edhe gjithë poezitë e tjera të këtij vëllimi poetik, të cilat arrijnë të krijojnë ndjesi të veçanta tek çdo lexues. Gjatë ceremonisë promovuese të librit, në fjalën e tij, studiuesi Agron Tufa ka theksuar vlerat e veçanta të poezisë së Preç Zogajt dhe elementët ndërtues të saj. Eshtë pikërisht kjo poezi, për të cilën aktori i njohur Timo Flloko është shprehur se kurrë nuk do të ishte në gjendje të recitonte aq mirë sa ajo ishte shkruar. Ndonëse dikush është shprehur, që edhe ai vetë është poet. Vlerat poetike të fjalës artistike të Preç Zogajt janë përshëndetur edhe nga të pranishëm të tjerë, ku nuk ka munguar as përshëndetja e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit Zhani Ciko, i cili natyrisht këtë radhë ka qenë në pozicionin e lexuesit, por edhe organizator i mbrëmjes. Ndërsa vetë autori, ndonëse është ndjerë mirë mes fjalëve vlerësuese, ka zgjedhur të thotë pak diçka me modesti në fund të mbrëmjes. Në këtë mënyrë, Preç Zogaj i kthehet letërsisë, jo pas një shkëputjeje prej saj, por ndoshta pas një periudhe ku publiku e sheh të angazhuar si politikan. Mbrëmja është shoqëruar edhe me një minikoncert, me praninë e solistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, si dhe këngëtarë të ansamblit popullor. Të pranishmit janë njohur me poezitë e Zogajt, përmes recitimit të aktorëve Timo Flloko e Yllka Mujo.  Të pranishmit VIPNë sallë nuk kanë munguar personazhe të njohur, të artit, letërsisë dhe politikës shqiptare. Kolegë, të afërm dhe miq të Preç Zogajt kanë qenë të parët, të cilët e kanë uruar për daljen e vëllimit të tij poetik "Gjallë unë pashë". Nuk kanë munguar aty emrat e kolegëve politikanë si, Namik Dokle, Arben Imami, Aleksandër Biberaj, aktorja Raimonda Bulku, por edhe përfaqësues të medias, si Blendi Fevziu, Aleksandër Frangaj, Remzi Lani, Arian Çani, Mustafa Nano, Henri Çili, etj.     Poezia në buzët e aktorëve Gjatë mbrëmjes promovuese, aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar, Yllka Mujo dhe Timo Flloko kanë sjellë për të pranishmit, disa nga vargjet poetike të Preç Zogajt, të shoqëruara në një sfond muzikor. Kanë qenë pikërisht këto momente, që kanë bërë të njohur poezinë dhe natyrën krijuese të krijuesit Zogaj përmes disave prej poezive, të cilat preknin tematika të ndryshme, të sjella në një mënyrë krejt origjinale dhe të denja për emra të tillë aktorësh të njohur.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›