Trapatonit i kujtojnë fundin që pati Bariç
• Xhovani Trapatoni, 69-vjeçari italian pak ditë më parë mori drejtimin e përfaqësueses irlandeze të futbollit, por disa nga specialistët e futbollit ndërkombëtar, kanë kritikuar drejtuesit e Federatës irlandeze për këtë zgjedhje.Ata kanë thënë se jo çdo trajner me emër të madh mund të jetë i vlefshëm kur ai është në përfundim të karrierës së tij dhe njëkohësisht është në një moshë të madhe. Në një shkrim të botuar në "Eurosport" drejtuesve të futbollit irlandezë u është dhënë shembulli i ish-trajnerit të Shqipërisë, Oto Bariç, i cili megjithëse kishte 39 vjet që kishte punuar si trajner, dështoi me Shqipërinë, pasi nuk arriti asnjë nga objektivat. "Oto Bariç, më i vjetri dhe ndoshta një nga trajnerët që eksperienca nuk iu barazua kurrë me suksesin. 75-vjeçari drejtoi 14 skuadra të ndryshme gjatë një karriere 39-vjeçare si trajner. Ai u largua nga puna e fundit - drejtonte ekipin kombëtar shqiptar- pas një fushate të pasuksesshme në Euro 2008 vitin e kaluar, por veterani është ende në pritje të një telefonate për punë", ishte komenti i "Eurosport".