OKB, thirrje Beogradit dhe Prishtinës për dialog
zhvillimin e dialogut Prishtinë-Beograd, megjithëse kanë pasur mospajtime për çështjet që palët duhen diskutuar. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u diskutua qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës. Përfaqësuesja amerikane në OKB, Brooke Anderson ka theksuar se statusi dhe kufijtë e Kosovës janë të caktuar dhe se pavarësia është proces i pakthyeshëm. Ambasadori rus, Vitaly Churkin ndërkaq ka përsëritur kundërshtimin e Moskës ndaj pavarësisë, ndërsa ka kërkuar respektimin e rezolutës 1244 si bazë juridike për funksionimin e Kosovës. Diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për gjendjen në Kosovë kanë pasuar raportimet e ministrave të jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë si dhe shefit të UNMIK, Lamberto Zannier.
Hyseni: Dialogu do ndihmonte zbutjen e tensioneve
Në dallim nga seanca e kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, dhe ai i Serbisë, Vuk Jeremiç, janë kursyer nga polemikat e zjarrta. Kryediplomati kosovar ka preferuar që gjatë fjalimit të tij të rregullt të përqendrohet në angazhimet e institucioneve të Kosovës për integrimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare, ndërkaq ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit për një perspektivë të përbashkët evropiane të rajonit. Në një replikë të shkurtër që ka pasur me homologu serb, ministri i Hyseni ka thënë se aksionet e fundit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar tregojnë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për luftimin e këtyre fenomeneve. Kreu i diplomacisë kosovare e ka bërë këtë vlerësim, pasi që paraprakisht në fjalimin e tij ministri serb Jeremiç ka përdorur hetimet që po i bën EULEX në MTPT si argument për të përshkruar Kosovën si vend të kriminalizuar. Askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë e institucioneve të Kosovës që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Vetë fakti që njeriu mund të shohë veprime të prekshme në këtë aspekt tregon se sa e vendosur është Qeveria e Kosovës në luftimin e këtyre dukurive. Në këtë aspekt ne jemi duke bashkëpunuar shumë me pranitë ndërkombëtare, sidomos me EULEX, ka thënë ministri Hyseni. Sipas tij, dialogu do të ndihmonte zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ne ftojmë Republikën e Serbisë tu bashkohet përpjekjeve të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një ambient mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në rajon, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. Qeveria ime është e gatshme të angazhohet në bisedime me Serbinë për çështje të shumta të interesit të përbashkët si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dialogu do të ndihmonte zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona, ka thënë Hyseni. Ndërsa homologu i tij serb, Vuk Jeremiç ka thënë se Beogradi është i interesuar që të gjendet një zgjidhje për Kosovën që nuk do ta kënaqte vetëm njërën palë. Kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovën dhe do ti raportojë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të krijohet një mundësi strategjike për arritjen e një kompromisi midis serbëve dhe shqiptarëve, është shprehur Jeremiç. Përfaqësuesi i OKB në Kosovë, Lamberto Zannier e ka cilësuar situatën në Kosovë të qëndrueshme, por të brishtë. Sipas tij, vështirësitë ekonomike dhe mospajtimi i komuniteteve paraqesin rrezik për trazira sociale. Kreu i UNMIK tha se ishte i gatshëm të ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shfaqi shpresën për hapjen e më shumë kanaleve të dialogut mes palëve.