E Shtunë, 31 Tetor 2026

OLTA GIXHARI. “Sirena e detit” në Teatër

Aktorja e re durrsake tregon jetën e saj, ndarjen me baletin dhe ngjitjen në skenën e Teatrit Kombëtar. Synimi: “Do të bëj patjetër një film”

Petrika GROSI
Personazhi i radhës që menduam ta sjellim sot në faqet e “Albania Weekend” është aktorja e re, por tepër e afirmuar në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë kohëve të fundit, Olta Gixhari. Momentalisht ajo është duke u përgatitur për rolin e radhës, në shfaqjen “Filumena Marturano”, ndërkohë që ka marrë duartrokitjet e publikut për interpretimin e shkëlqyer në shfaqjen “Pamje nga ura”, përkrah Yllka Mujos dhe Timo Fllokos. Në fakt, biseda jonë trajton shumë më tepër se kaq. Aktorja e re nga Durrësi tregon për lidhjen e saj me skenën, vështirësitë dhe emocionet e punës, sakrificat, rrugën drejt artit ndonëse në kontradiktë me prindërit që donin ta bënin ekonomiste, pasionin për baletin dhe braktisjen e tij përgjithmonë pas dashurisë së re me teatrin...

Olta, sa i lehtë ka qenë për ty afirmimi si aktore dhe ngjitja në skenën e Teatrit Kombëtar?
E vështirë është të marrësh rolin, pra të gjesh mënyrën.

Më konkretisht...
Isha në vit të tretë fakultet kur po punoja me prof. Timo Fllokon dhe regjisori Albert Minga ka ardhur një muaj rresht për të parë provat. Fatlumja që u përzgjodh isha unë. Kjo qe dhe ngjitja ime e parë serioze me një rol në TK. Hera e parë fare ka qenë një tjetër, por kjo nuk ka rëndësi ta them tani. I njëjti regjisor realizon një pjesë tjetër tani në TK, “Filumena Marturano” dhe më ofroi prapë një rol, pasi mesa duket ka mbetur i kënaqur herën e parë. E falënderoj për këtë vlerësim regjisorin dhe gjithë artistët e tjerë që i kam shumë xhan.

ǒështë ky rol i ri?
Është një rol që më shkon. Sepse mund të jesh e kënaqur kur merr një rol por nëse nuk ke hapësirë nuk e bën dot. Megjithatë, ky është një rol që më përshtatet. Vajza që luaj unë, Diana, nuk është rol i rëndësishëm por flitet shumë për të në gjithë pjesën. Nuk dua të flas më tej për rolin por ju ftoj të vini ta shikoni.

Diçka mbi vështirësitë me këtë rol?
Është rol që ka vetëm dy skena. Nuk ka ndonjë lodhje të madhe, as mbingarkesë. Gjithsesi, rolet e tilla duken të thjeshta por në një kohë shumë të shkurtër aktori duhet të shfaqë gjithë karakterin e personazhit.

Si hytë në personazhin e Ketrinit, te “Pamje nga ura”?
Nuk është se bëra një 50-vjeçare dhe dola jashtë vetvetes. Ishte një vajzë adoleshente që unë duhet ta mishëroja në skenë. Jam kënaqur shumë me atë rol, e kam shijuar në maksimum dhe po të jetë e mundur, prapë kam dëshirë ta bëj një rol të tillë. Detyrimisht që edhe në të ardhmen do të kem role afër moshës sime, pasi nuk t’i beson njeri rolet me një distancë të madhe. Por, mund ta bëj një 30-vjeçare ashtu si edhe një 17-vjeçare, që duken larg njëra-tjetrës por që teatri ta lejon këtë gjë.

Të jesh në një moshë të re si ju dhe në të njëjtën skenë me aktorët e Teatrit Kombëtar nuk ndodh përditë. A nuk është kjo një medalje me dy anë, me përgjegjësinë, frikën e të qenit përballë aktorëve të kalibrit dhe njëherësh krenarinë e një fakti të tillë?
Kënaqësia është e madhe. Ata janë artistë shumë të mëdhenj dhe unë kam qenë jashtë mase shumë e vogël, kur kam dëgjuar për herë të parë emra si Timo Flloko, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu etj. Tani vjen një ditë shumë e bukur që këta aktorë, të cilët i kam dashur dhe i kam parë në skenë e në ekran janë partnerët e mi. Kjo është gjëja më e bukur që mund të ndodhë. Në anën tjetër, duke qenë se isha pjesë e këtij stafi, që punova shumë me ta, edhe unë e ndieja veten sikur isha profesioniste. Ky është komoditeti që të vjen kur ke përballë artistë të mëdhenj. Sa për frikën, e kuptoj çfarë doni të thoni, por një gjë të tillë nuk e kam menduar kurrë. Deri tani nga skena kam shijuar vetëm anët e mira.

Duket se jeni pritur me dashamirësi nga rrethi i aktorëve profesionistë në TK.
Kemi marrëdhënie shumë të mira. Punojmë bashkë, dalim pimë kafe, bisedojmë për teatrin...

Ka ndodhur gjatë kësaj kohe që jeni në kontakt me skenën të ndiheni keq?
Keq jo, përveçse kam një çikë ftohtë aty te salla.

Keni qenë në një skenë me pedagogun tuaj, Timo Flloko. Çdo të thotë kjo për ju, pra, si është të interpretosh me pedagogun?
Ikin këto gjëra. Kur vjen momenti i shfaqjes aty nuk jemi më ne si njerëz, por personazhet tona. Nuk i shikon të tjerët privatisht deri në momentin që mbarojnë provat ose shfaqja dhe del nga dera e teatrit.

A ndodh që personazhi yt të të ndikojë në jetën tënde gjatë kohës kur je në kërkim për plotësimin e tij?
Personazhi kërkon punë dhe kërkim për të gjetur elementë të tij por kjo nuk do të thotë që të jetosh si ai. Për të hyrë nën lëkurën e personazhit nuk ka një buton që ta shtypësh dhe të thuash “tani do hyj”. Punon shumë dhe papritur e gjen veten brenda personazhit.

Si e kupton kur e ke arritur më të mirën në rolin tënd?
Është një gjë që nuk e kuptoj. Thjesht mundohem të jap më të mirën dhe të ndihem mirë përbrenda. E rëndësishme është që ta shijosh rolin, kuptohet, edhe të tjerët bashkë me ty. Kur ke hyrë në personazh apo kur nuk ke hyrë, vështirë se kuptohet!

Duke qenë moshë e re dhe duke punuar me regjisorë të një moshe relativisht të madhe, me kërkesa ndryshe... me çfarë vështirësish përballesh?
Kur punon me profesionistë vetëm mëson prej tyre. Asgjë të vështirë nuk ka dhe çdo gjë është e mundur. Regjisorët që tentojnë të vinë të vënë pjesë në TK nuk janë mosha të reja, pastaj çdo njeri ka mënyrën e vet të punës, vizionin dhe kërkesat e tij, ndërsa aktorët kanë për detyrë që të binden.

E kisha fjalën te rreptësia, disiplina...
Në momentin që merr një punë të tillë as që diskutohet që do të jesh e disiplinuar.

Për artin duhet të sakrifikosh, apo jo?
Vij në orën 10 në prova dhe mbaroj në 2 e gjysmë, kurse pasdite vij në orën 5 e mbaroj në orën 9. A nuk quhet sakrificë kjo? Për më tepër që aty te skena e madhe është akull, ngrin shumë.

Po gjëra të tjera nga të cilat duhet të privohesh a ka?
Një aktor e ka të domosdoshme që të mbajë regjim. Nuk mund të bëj gjithë ditën prova dhe në darkë të dal me mikeshat apo me një mikun tim dhe të dëfrehem e të pi alkool. Një artist nuk mund të bëjë një jetë normale si çdo njeri me një punë të thjeshtë. Nuk mund të pish cigare se të trashet zëri, nuk duhet të ftohesh ndaj duhet të mbash në grykë gjithmonë një shall, nuk duhet të shtosh peshë, pra regjimi është i padiskutueshëm. Të gjitha këto janë sakrifica që bëhen për skenën.

Ju mbetet kohë e lirë?
Kohë të lirë kam atëherë kur nuk merrem me asnjë projekt, por falë Zotit gjithë këtë kohë jam vetëm e zënë. Kur kam projekte kohë e lirë është vetëm dreka dhe disa orë në darkë, por darkën nuk e shfrytëzoj shumë pasi dua të fle herët, jam pak gjumashe.

Nuk është se të pëlqen shumë të shikosh filma?
Nuk është se nuk shikoj filma, më pëlqen të shikoj filma ose të lexoj një libër në darkë ose të gatuaj.

Kur i shikon këto filma, sepse the që fle herët?
Nuk thashë se fle që në orën 8, por në orën 11. (Qesh.)

Çfarë lexon?
Pjesë dramaturgjike, që kanë të bëjnë me profesionin tim, ndonjë histori të bukur që të bie në dorë, sigurisht ke etje ta shfletosh.

Libri i fundit që ke lexuar?
Po lexoj një histori arti, nuk e kam mbaruar ende sepse është libër tepër voluminoz që flet për pikturën, nga fillesat e saj e deri më sot.

Pse e lexon një libër të tillë?
Për informacion, kulturë, se duhet të lexoj për të kultivuar shijet.

E pëlqen pikturën?
Më pëlqen shumë ta shoh, por nuk është se marr vesh shumë prej saj. Pastaj më pëlqen të mësoj gjëra të reja, jetën e piktorëve të njohur, rrugën që kanë bërë për të arritur deri te rezultati.

Çfarë pasioni ke pasur tjetër, veç aktrimit?
Baletin. Kur isha e vogël merrja pjesë në disa grupe amatore në Durrës. Jam marrë shumë vite me baletin por kur nisi të më pëlqente aktrimi e lashë. Pasi hyra në Shtëpinë e Pionierit ngaqë isha e gjatë më kaluan në ansambël. I kam kërcyer të gjitha rrymat përveç dancit klasik.

Me baletin e ke mbyllur përfundimisht?
Baletin po e lë një ditë të lë një muaj. Unë kam shumë kohë që e kam lënë dhe nuk kam as trupin e mëparshëm. Ato kohë isha shumë e dobët.

Të ndihmon baleti në aktrim?
Më ndihmon sidomos me lëvizjet. I kam më të lehta për t’i bërë.

Çdo njeri ka synime, të tuat cilat janë për momentin?
Qëllimi është të jap më të mirën me rolin që kam tani.

Nuk të intereson të jesh pjesë e përhershme e Teatrit Kombëtar?
Më intereson, por jam mirë edhe kështu me projekte. Oferta kam pasur në fakt, nga teatro të ndryshme në rrethe, por nuk i kam pranuar.

E ke menduar të jetosh dhe punosh jashtë?
Me projekte mund të shkoj e të kthehem prapë këtu, por që të rri andej nuk e imagjinoj dot. E dua vendin tim, jam shumë nacionaliste.

Shumë nga moshatarët e tu, mbarojnë Akademinë e Arteve për regjisurë e aktrim, por nuk afrohen me skenën reale, mbeten pa punë. Si e shikoni këtë gjë?
A ke më keq? Janë pa punë. Ka shumë të talentuar që kanë bërë fare pak ose asgjë. Gjithsesi, jam me parimin që nëse ke talent, do të vijë patjetër një ditë që do të dalësh në dritë.

Ka ndodhur të përballeni me xhelozinë dhe thashethemet e shokëve apo shoqeve?
Me miqtë e mi jo, ndërsa të tjerët, nuk më intereson shumë se çfarë thonë për mua. Në kursin ku kam qenë unë, tani që kemi mbaruar të gjithë kanë punë. Është Jozef Shiroka, që sapo mbaroi xhirimet me Paskaleviçin, Gjergji Mena, Lisa Kujovska, Rezart Veleshnja etj. I gjithë ky grup kishte talent por arritëm të formohemi falë punës së profesorëve Niko Kanxheri e Timo Flloko.

Si do ta përcaktonit veten?
Varet se cila pjesë e karakterit dominon më shumë në një situatë të caktuar. Unë jam shumë nevrike, jam dhe shumë e qetë dhe shumë e qeshur... Jam lozonjare, shakaxhie, por edhe serioze. Reagoj në mënyrën time në situata të ndryshme.

Megjithatë, temperamenti nuk të mungon.
Jam shumë energjike. Nuk rri dot pa lëvizje.

Pra, melankolia nuk është problem për ty edhe në një ditë të zymtë me shi si kjo e sotmja?
Në fakt, e di çfarë do të doja që të bëja sot?! Të isha vetëm në shtëpi, e shtrirë, e mbështjellë ngrohtë me batanije dhe, të shikoja ndonjë film të mirë...

Kinemaja, sa hyn në planet për të ardhmen?
Një film do ta bëj patjetër dhe nuk ka si të shkojë ndryshe. As që e diskutoj këtë punë është vetëm çështje kohe. Deri tani kam dhënë audicione që nuk i kam fituar, kam dhënë të tjera që i kam fituar por nuk më kanë pëlqyer...

Marrëdhënia me prindërit?
Kam katër vjet që jetoj vetëm në Tiranë. Prindërit jetojnë në Durrës por kanë biznes këtu dhe vijnë përditë. Ndonjëherë qëndrojnë dhe flenë te shtëpia ime.

Sa kanë ndikuar prindërit në zgjedhjet e tua?
Ata nuk kanë dashur fare që unë të vazhdoj aktrimin.

Po për baletin ishin dakord?
As atëherë nuk donin sepse unë isha shumë e dhënë pas baletit, disa orë në ditë i bëja palestër dhe kështu rashë nga mësimet. Mamaja dhe babi donin që unë të vazhdoja ekonomikun, por ndoqa zërin e mendjes dhe shpirtit tim. Tashmë ata janë të bindur që kam bërë mirë kur e zgjodha këtë profesion.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›