FMN: Këtë vit rritja 6%, Berisha: I besoj INSTAT-it
Fabiola Çela
Rritja ekonomike në 2008-ën do të jetë 6 për qind. Këtë herë deklarata është dhënë nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas FMN-së kriza globale financiare ka dhënë efektet e saj edhe në Shqipëri dhe për pasojë gjatë muajve të fundit të 2008-ës është vënë re një ngadalësim i rritjes ekonomike. Por edhe pas kësaj deklarate, Kryeministri Berisha ka ngulmuar se shifrat reale të rritjes ekonomike i llogaritet vetëm Instituti i Statistikave. Madje kreu i qeverisë jo vetëm që ka këmbëngulur në versionin e rritjes dy-shifrore, por ka renditur edhe arsyet që, sipas tij, çojnë në këtë konkluzion.
FMN
Qeveria shqiptare ka nënshkruar dje marrëveshjen që i jep fund programit trevjeçar të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë. Me përfundimin e marrëveshjes trevjeçare nuk do të kalojnë më në "sitë" financat shqiptare. Kjo, pasi marrëdhëniet mes qeverisë dhe fondit kalojnë në një stad tjetër dhe ekonomia shqiptare nuk do të jetë më e mbikëqyrur nga FMN-ja. "Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim. Pavarësisht se mbyllim programin, ne do ta mbështesim Shqipërinë nëpërmjet konsultimeve apo programeve të asistencës," u shpreh dje. Westin. Por pas nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Ann Margaret Westin, u shpreh se rritja ekonomike në 2008-ën do të jetë 6 për qind. "Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh. Sa për t'ju rikujtuar, në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë vit dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës", deklaroi Westin.
Kryeministri
Kreu i qeverisë ka insistuar sërish se është INSTAT ai që llogaritet rritjen ekonomike të vendit. "Duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t'ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave", tha ai. Në lidhje me rritjen dyshifrore të ekonomisë, Berisha ka renditur edhe faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje. "Kjo sepse është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera; e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe, e dyta, viti 2008 ka qenë viti në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare", ka deklaruar Kryeministri Berisha.