Arrestohet oficeri i krimeve, falsifikoi dosjen
FIER- Një ngjarje e ndodhur dy vjet më parë në Mallakastër dhe mangësitë në plotësimin e kësaj dosjeje penale, kanë bërë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të niste hetimin për oficerin e policisë kriminale, Çajup Cako. Ndërsa gjykata e rrethit Fier ka vendosur ndaj tij dhe masën e sigurisë burg pa afat deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Kjo është akuza e ngritur ndaj një oficeri të krimeve me shërbim në Drejtorinë e Policisë qarku Fier. Akuza është ngritur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë institucion, ndërsa lajmi bëhet i ditur nga burime pranë policisë fierake. Vendimi për arrestin e Çajup Cakos është dhënë nga ana e togave të zeza të gjykatës së shkallës së parë, rrethi gjyqësor Fier.
Pas kallëzimit të bërë nga ana e SHKB-së në lidhje me këtë vepër penale ndaj oficerit të krimeve organi i akuzës nisi ndaj tij çështjen penale për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të detyrës. I dyshuar për këto vepra penale, Cako është përballur me togat e zeza, të cilët vendosën që deri në përfundim të hetimeve ai të qëndroj në masë sigurie arrest në burg, vendimi është dhënë dy ditë më parë.
Oficeri i krimeve Çajup Cako akuzohet se ka kryer një falsifikim në një dosje penale, gjatë kohës kur ai ka qenë me shërbim në komisariatin e policisë Mallakastër. Ai dyshohet se ka kryer ndryshime në një procesverbal lidhur me një ngjarje gjatë vitit 2009. Pas marrjes së këtij informacioni, SHKB ka nisur nga puna operative. Pas mbledhjes së informacioneve dhe fakteve, sipas SHKB-së, ai ka kryer veprat penale të sipërcituara dhe duhet të përgjigjet para drejtësisë. Cako kishte disa kohë që ishte transferuar në komisariatin e policisë Fier dhe kishte lënë pas detyrën e oficerit të policisë në Mallakastër. Por kanë qenë vetë kolegët e Cakos të cilët kanë parë mangësitë në atë dosje penale dhe më pas ia kanë referuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.