E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë grekë vënë nën kontroll televizionin shtetëror

Disa protestues hynë me forcë në ambientet e televizionit shterpor grek NET, duke ndërprerë një kronikë mbi Kryeministrin Kostas Karamanlis, për t‘i kërkuar shikuesve të bashkoheshin me ta në revoltat antiqeveritare. Për më shumë se një minutë, rreth dhjetë të rinj ndërprenë kronikën për t‘u shfaqur vetë para spektatorëve me pankarta ku lexohej: "Mos shihni më, dilni rrugëve" dhe "Të lirohen të gjithë të arrestuarit". Sipas raportimeve zyrtare në këtë ndërhyrje të papritur nuk janë shënuar viktima. Kristos Panagopulos, presidenti i rrjetit televiziv shtetëror NET, deklaroi më pas se protestuesit kishin çarë me dhunë drejt studios. "Kjo shkon përtej çdo kufiri", u shpreh ai.

Sulmi i mbrëmshëm ishte faqja e fundit e një kapitulli revoltash të nisur para 12 ditësh, pasi një agjent policie vrau një adoleshent 15-vjeçar. Protestat e dhunshme fillimisht drejtoheshin vetëm kundër policisë, por më pas u përqendruan kundër qeverisë konservatore të Kryeministrit Karamanlis, ndërkohë që ai ka refuzuar kërkesat për dorëheqje e për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Dje, në orët e para të ditës, të rinj të maskuar sulmuan Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Rendit në Athinë, ndërkohë që protestues të tjerë u përplasën me policinë në zona të tjera të Athinës si dhe në Selanik. Grupe studentësh bllokuan disa rrugë të Athinës, ndërkohë që disa dhjetëra adoleshentë u grumbulluan para gjykatës kryesore të kryeqytetit, ku gjendet edhe një burg i sigurisë së lartë - edhe këtu, disa prej të rinjve hodhën gurë kundër forcave të rendit.

Protestuesit kërkonin që forcat e ndërhyrjes së shpejtë të largoheshin nga rrugët, policia të çarmatosej dhe që qeveria të rishikonte politikat ekonomike, sociale dhe edukative. Protestat kanë bllokuar aktivitetin mësimor në shkollat e nivelit të mesëm dhe të lartë në Greqi. Sipas Ministrisë së Edukimit, mësimi është ndërprerë në më shumë se 100 shkolla të nivelit të dytë që gjenden të pushtuara nga nxënësit. Edhe shumë ndërtesa universitare nëpër gjithë Greqinë janë gjithashtu të pushtuara nga studentët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›