E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karamanlis premton luftë kundër korrupsionit pas revoltave

Kostas Karamanlis, Kryeministri i Greqisë, u zotua dje të vepronte me dorë të fortë kundër korrupsionit pas 11 ditë protestash të dhunshme të shpërthyera pas vrasjes së një adoleshenti nga një agjent policie. Incidenti ishte veç shkëndija që ndezi zemërimin e publikut grek, i nginjur nga skandalet qeveritare e problemeve ekonomike. Rreth 100 të rinj sulmuan një rajon policie, duke i vënë zjarrin një autobusi të tij. Disa studentë, për pak kohë, morën në dorë televizionin shtetëror, duke ndërprerë edicionin e lajmeve, ndërkohë që veprime të dhunshme u regjistruan edhe në qytetin verior të Selanikut. Po ashtu, një protestë fermerësh mbajti të bllokuar një autostradë kryesore në Veri të Greqisë.

Karamanlisi tha se ndihma ndaj grekëve, një e pesta e të cilëve jetojnë në varfëri, qe prioritet i qeverisë së tij, por se mundësitë ishin të kufizuara për shkak të borxhit shtetëror, ndërkohë që revoltat e këtyre ditëve veç e kishin përkeqësuar edhe më tej gjendjen. "Problemet që prej kohësh nuk gjejnë zgjidhje i kanë zhgënjyer të rinjtë: mungesa e meritokracisë, korrupsioni në jetën e përditshme, ndjesia e padrejtësisë sociale", u shpreh Karamanlis para grupit të tij parlamentar. "Lufta kundër këtyre fenomeneve duhet të jetë e ashpër dhe e pandërprerë dhe ne jemi të përkushtuar tërësisht në të".

Kostas Karamanlis, nën kritika të forta, për shkak të reagimit të dobët ndaj revoltave, pranoi se kishte nënvlerësuar gjendjen e humorit të popullit grek, si edhe peshën e skandalit me tokat në pronësi të kishës, që ka vënë nën shënjestër qeverinë e tij prej muajsh. Teksa protesta të reja planifikohen të zhvillohen edhe javën e ardhshme, Karamanlis tha se qeveria e tij do të vazhdonte me planin për uljen e taksave mbi të ardhurat. Por ai vërejti se nuk duhej pritur për ulje të mëdha, duke qenë se Greqia është e detyruar të shpenzojë 12 miliardë euro (rreth 5 për qind të GDP-së) për të shlyer borxhin qeveritar. "Prioriteti i qeverisë sonë është t‘u vijë në ndihmë atyre që kanë shumë nevojë, por ky borxh është peshë shumë e rëndë që i kufizon së tepërmi mundësitë e qeverisë në këtë çast kaq kritik", u shpreh Kryeministri grek.

Nga ana e saj, opozita vërejti menjëherë se Karamanlisi dhe partia e tij nuk qenë në gjendje të kuptonin realisht peshën e rëndë të situatës ekonomike. "Duket qartë se nuk janë në gjendje të kuptojnë se kanë humbur besimin te populli dhe, në të tilla raste, zgjidhja jepet gjithnjë nga populli", tha zëdhënësi i partisë PASOK, Jorgo Papakonstantinu.

Analistë politikë grekë kanë arritur në përfundimin se në vend po ndihet klima e zgjedhjeve të parakohshme dhe se Karamanlis me shumë gjasa do të vendosë të sakrifikojë disa prej ministrave për të freskuar disi qeverinë e tij konservatore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›