E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqini dështon me panairin e gjelit të detit

Panairi i gjelit të detit në rrethin e Peqinit është kthyer tashmë në një traditë. Edhe këtë vit në këtë panair ka qenë ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, ai që ka vendosur për gjelin fitues të "paradës". I katërti panair ky i sivjetmi, por, me sa duket Peqini mund ta humbasë të drejtën e vendit organizator, përderisa gjeli i detit që u shpall kampion ishte sjellë për konkurrim nga një fshat i rrethit të Kavajës. Rreth 22 tufa të vogla me nga 10-15 gjela poshtë peshës konkurruese kanë parakaluar në panair, më tepër për forcë zakoni se sa për vlerat e viteve të kaluara që mbante Komuna e Përparimit në rritjen dhe mbarështimin e këtij shpendi si simbol festash. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit e ka devijuar fjalimin e tij nga gjelat e detit, për tek ullinjtë e Vlorës dhe vreshtat e Marikajt. Gjana, duke parë organizimin e dobët të Drejtorisë së Bujqësisë së Elbasanit për panairin në fjalë, ka folur shumë më gjatë për politikën qeveritare rreth pesëfishimit të ullirit në 25 rrethet që e kultivojnë, për shtimin e vreshtave dhe agrumeve, që sipas tij qeveria për dhjetë vitet e ardhshme kishte planifikuar rreth 200 milionë dollarë investime për fermerët që do të kishin rezultate në vreshtari dhe ullishta. Sidoqoftë, ai nuk ka ngurruar t‘i vendosë gjelit kampion të Peqinit shiritin e titullit "kampion" përkundrejt 10 mijë lekëve shpërblim, pa e ditur se "pronari" i tij ia kishte marrë gjelin nipit në një fshat të rrethit të Kavajës, sa për t‘u prezantuar. "Me thonë të drejtën, un‘ s‘kisha noj gjel të hajrit për konkurim e thashë me t‘ja mor hua nipit tim n‘Kavajë", tha Astrit Gjuzi, që u nderua me çmimin e parë për gjelin më të mirë pas dy dyluftimeve mes gjelash. Sidoqoftë, kreu i Bujqësisë së Elbasanit nuk e ka prishur "adetin" si për çdo vit. Rreth 170 persona ai i ka ftuar për drekë në një lokal luksoz në dalje të Peqinit, por ende nuk është bërë e ditur se nga është siguruar fondi prej mbi 4 milionë lekësh për sponsorizimin e drekës, po me mish gjeli deti. Sipas statistikave, Qarku i Elbasanit ka rënie këtë vit në mbarështimin e gjelit të detit, ndërsa fermerët që e rrisin këtë shpend thanë se kostoja e rritjes së këtij shpendi është shumë e lartë krahasuar me çmimin e shitjes së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›