Sejdiu: “Sllovenia, një model i mirë për Kosovën”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka konsideruar njohjen e shtetit të ri nga Sllovenia të natyrshme, pas mbështetjeve të saj për Kosovën. Sllovenia është ndër republikat e para të ish- Jugosllavisë që njeh shtetin e Kosovës. “Sllovenia është një model jashtëzakonisht i mirë për Kosovën në rrugën e mëtejme të integrimeve euroatlantike”, - tha kreu i Kosovës, Sejdiu. Shefi i zyrës sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, njoftoi zyrtarisht autoritetet në Prishtinë se vendi i tij, Sllovenia, njeh Republikën e Kosovës. Për presidentin Fatmir Sejdiu, vendimi i Parlamentit slloven për njohjen e shtetit të Kosovës është një rrjedhë e natyrshme që vjen gjithmonë pas një mbështetjeje të vazhdueshme që ka pasur Sllovenia për Kosovën. Në procesin e njohjes thuhet të jetë edhe Kroacia dhe Maqedonia. Mirëpo, Maqedonia tashmë ka parashtruar kushte para se ta njohë pavarësinë. Fillimisht kërkohet nga autoritetet e Prishtinës që ta njohin marrëveshjen e vitit 2001, ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, sipas së cilës 2500 hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedonas. Autoritetet në Prishtinë nuk pajtohen me këtë qasje të Maqedonisë dhe kërkojnë që Maqedonia fillimisht ta njohë shtetin e Kosovës dhe pastaj të formohet një komision i përbashkët që do tw shënjojë vijën kufitare. Edhe Finlanda pritet ta njohë Kosovën gjatë ditës së sotme nëpërmjet një vendimi që do të merret gjatë takimit presidencial. Qeveria e Finlandës i ka propozuar Presidentes Tarja Halonen njohjen e Kosovës.
7 Mars 2008