OPEK:Të reduktohet prodhimi i naftës

Vendet e OPEK-ut kanë vendosur në takimin e zhvilluar në Algjeri, që të reduktojnë me 2.2 milionë fuçi në ditë prodhimin e naftës. OPEK-u ka ndërmarrë edhe dy nisma të tjera më parë për reduktimin e prodhimit që nga muaji shtator, duke bërë që prodhimi i arit të zi të ulet me 4.2 milionë fuçi në ditë gjithsej. Pavarësisht kësaj, çmimet e naftës kanë rënë së tepërmi që nga muaji korrik i këtij viti. Çmimi i naftës ka rënë me më shumë se 100 dollarë, duke shënuar shifrën aktuale të 44 dollarëve për fuçi. Ministri saudit i Naftës deklaroi se vendet e OPEK-ut kane rene dakord por reduktimin e prodhimit te naftes. Lëvizja e vendeve të kartelit të naftës, që shënon një ulje rekord të prodhimit, synon të rrisë çmimin e arit të zi. 12 anëtarët e OPEK-ut, të mbledhur në Algjeri, vendosën për këtë nismë per të balancuar prodhimin me kërkesën për karburant. I pari që e publikoi vendimin ishte ministri i vendit me prodhimin më të madh, Arabisë Saudite, Ali al Naimi. "Duam të balancojme tregun dhe të shmangim luhatjet e çmimit. Reduktimi mund të çojë ose jo në çmime më të larta", tha ai.