PE nderon disidentin kinez Hu Zhia me çmimin "Sakarov"
Parlamenti Europian në Strasburg ka nderuar disidentin kinez Hu Zhia me çmimin Sakarov për Lirinë e Mendimeve. Por vetë Hu Zhia nuk ishte i pranishëm për të tërhequr çmimin, pasi është transferuar në një burg të ri në Kinë. Nominimi i Hu-së si fitues i çmimit në tetor të këtij viti, zemëroi Pekinin zyrtar, që e quajti këtë gjë si një përzierje në çëshjtet e brendshme të Kinës. Çmimi Sakarov është dorëzuar për herë të parë në vitin 1988 dhe fituesi i atij viti Nelson Madela ishte në burg. Edhe atëherë në Parlamentin Europian ishte një karrige bosh, ashtu si tani. Ky çmim vlerëson kurajon e Hu Zhiasë që nuk është ndalur përpara qeverisë kineze. Hu me anë të blogut të krijuar prej tij ka denoncuar dhunimin e të drejtave civile në vendin e tij. Por përveç kësaj, Hu Zhia është vlerësuar edhe për angazhimin e tij në favor të mjedisit dhe për themelimin e një organizate që merret me të sëmurët me Sidë. Ai ndodhet në burg që nga muaji prill, dhe po vuan një dënim tre vjeçar. Për të tërhequr çmimin nuk ishte as e shoqja, e cila nëpërmjet një videoje ka dhënë mesazhin për Asamblenë Europiane. "50 mijë eurot që morëm nga çmimi do të përdorën nga Hu Zhia për t'i bërë jehonë temës së lirisë në Kinë. Do të ngremë një organizatë për të mbështetur të drejtat njerëzore të familjeve të aktivistëve. Është ëndrra e Hu Zhiasë prej kohësh", është shprehur e shoqja. Ceremonia solemne në parlamentin e Strazburgut është mbyllur me një minutë duartrokitje.