E Diel, 1 Nëntor 2026

OPINION/ Listat, rreziku që u kanoset zgjedhjeve

Nga Erjon Tase
Konsensusi i arritur mes politikës shqiptare për të përcaktuar një përqindje fikse të kandidatëve të seksit femëror, u cilësua si një arritje jo e vogël e lëvizjeve feministe. 

Pra, me fjalë të tjera, në një kod zgjedhor që po gatuhet prej muajsh mes shumë debatesh e provash force, u vendos një kusht detyrues për hartimin e listave të kandidatëve që do të paraqiten nga çdo parti. Ky shtrëngim ligjor është pranuar pa kushte, si një shenjë e emancipimit shoqëror dhe sigurisht, edhe respektimit të rekomandimeve integruese.
Por tashmë që edhe zonjat Topalli e Leskaj i mbaruan fjalimet e meritave dhe kafetë e festimit të këtij suksesi, në tavolinën e komisionit të reformës zgjedhore ka ardhur momenti që të diskutohet një tjetër çështje mjaft delikate: A do të vendosen kritere ligjore edhe mbi përbërjen e kandidatëve që do të përfshihen në listat e partive? Në sistemin e ri proporcional, me të cilin do të shkojmë në zgjedhjet e kësaj vere, është lënë ende në harresë pikëpyetja se si do të kryhet vlerësimi i vlerave të këtyre përfaqësuesve që do të ulen nesër në sallën e parlamentit. Rreziku që sjell keqpërdorimi i proporcionalit për interesa të caktuara personale të drejtuesve të partive, është edhe më i dëmshëm dhe i shëmtuar se “fenomeni i Dushkut”, që në fund të fundit synonte menaxhimin e votës për të fituar më shumë vende në kuvend. Tashmë, me sistemin e ri, ekziston rreziku që hartimi i listave të kandidatëve të kthehet në një ankand biznesmenësh, të cilët mund të tregohen “bujarë” duke derdhur milionat në fondet e fushatës së partisë apo edhe xhepat e vetë drejtuesve të saj, për të ngjitur shkallët e karrierës politike. Shembuj të këtyre tratativa, pra financim në këmbim të lënies së zonave të lira apo kandidimit me një subjekt politik të biznesmenëve deri edhe të padiplomuar, janë të qarta dhe e kanë dhënë efektin e tyre zhgënjyes edhe gjatë zgjedhjeve të fundit. A mund të evitohet ligjërisht ky rrezik që i kanoset sistemit të ri zgjedhor, i cili pritet të testohet për herë të parë verën e ardhshme?
Përderisa u gjet një masë detyruese për përbërjen femërore të listave të kandidatëve, përse të mos gjendet gjuha e përbashkët për të ngritur masat e duhura shtrënguese edhe për përzgjedhjen intelektuale, kontribuese dhe kulturore të këtyre kandidatëve.
Vendet e tjera me një demokraci më jetëgjatë, e kanë zgjidhur këtë problem në mënyra të ndryshme, diku më efikase e diku më pak, por që të gjitha përmblidhen në sigurimin e masave ligjore apo pakteve moraliste që janë pranuar publikisht nga forcat politike. Një mënyrë e tillë, për shembull, që mund të shtrohet e nevojshme edhe në rastin e Shqipërisë, është përcaktimi i një raporti mes anëtarëve të listës që vijnë nga militantizmi partiak dhe atyre kandidatëve që përfshihen nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Në këtë mënyrë do të sigurohet jo vetëm një filtër për listat e kandidatëve; por njëkohësisht edhe do të krijohet një mundësi e re për anëtarët e shoqërisë civile që të bëhen pjesë e strukturave vendimmarrëse edhe pa pasur një të kaluar militantizmi partiak. Duke krijuar aksesin e këtyre personaliteteve të fushave të ndryshme, sigurisht që biznesmenët e padiplomuar do të skarcohen vetvetiu nga listat e kandidimit.
Megjithatë, zgjidhja ideale për të kontrolluar cilësinë e kandidatëve që do të paraqesin partitë në zgjedhjet e ardhshme, mbetet kuadri ligjor mbi financimin e partive dhe fushatave. Këtu dalim sërish në një pikë tepër të diskutuar gjatë debateve për kodin zgjedhor. Përfaqësuesit socialistë të komisionit të reformës zgjedhore janë shprehur disa muaj më parë se do të paraqisnin një draft të tillë brenda shtatorit, por të paktën publikisht, një afat i tillë ende nuk është respektuar. Për momentin, Shqipëria vazhdon të mos ketë rregulla të qarta për mënyrën e financimit të fushatave dhe kontrollin e tyre, edhe pas sinjaleve të vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtare. Vendet e tjera europiane kanë tashmë një eksperiencë ligjore, por edhe tradicionale, ku janë vendosur kufizime në financimet private dhe publike ndaj partive. Të njëjtat kufizime shoqërojnë edhe kostot e fushatave parazgjedhore të partive dhe kandidatëve, duke krijuar në këtë mënyrë një barazi dhe të drejtë shprehjeje të të gjithë aktorëve të forcave. Duke vendosur këto masa ligjore shtrënguese, por edhe detyrimin që të gjitha këto financime të jenë transparente dhe të kontrollueshme nga organe auditimi të pavarura, mund të imponohen rregulla loje të qarta dhe të sigurta për funksionimin e sistemit të ri zgjedhor.
Ka ardhur pikërisht momenti i duhur për të diskutuar dhe dhënë zgjidhjen e duhur këtyre çështjeve mjaft delikate të kodit zgjedhor. Nëse duam që të mos jemi përsëri “delja e zezë” europiane për respektimin e standardeve zgjedhore, duhet të veprojmë pa humbur kohë. Dhe kjo shtysë për të kontribuar në plotësimin e Kodit Zgjedhor, ndoshta nuk duhet lënë vetëm në dorë të politikës. Për të ndrequr gabimet që mund të dëmtojnë të ardhmen e vendit, duhet më tepër angazhim i shoqërisë civile dhe aktorëve të pavarur që mëtojnë për të ndryshuar diçka në keqqeverisjen e politikëbërjen tonë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›