E Diel, 1 Nëntor 2026

OPINION/ Antikorrupsioni, operacion pa narkozë

Nga Kico Blushi
Në lashtësi, pa u shpikur ende narkoza, operacionet në organin e sëmurë kryheshin duke krijuar artificialisht dhimbje më të madhe te një tjetër organ, në mënyrë që dhimbja të mbyste dhimbjen, e mjeku të operonte sa më i qetë. 

Këtë mësim të hershëm nga leksionet në fakultetin e mjekësisë, Doktori e zbaton përditë (në të vërtetë jo pa sukses) në betejat e tij politike përgjatë 17 viteve. Edhe në konferencën e fundit për shtyp me temë antikorrupsionin ai operoi me këtë mënyrë: herë me dhe herë pa narkozë, ai shkaktoi dhimbje në të tjera organe, kësaj here në prokurori e në gjykata, duke larguar vëmendjen nga akuzat e rënda për korrupsion ndaj tij dhe familjes së tij. Berisha vazhdon të operojë në shoqërinë shqiptare pa u lodhur e pa u tërhequr asnjëherë, me bisturi e me hanxhar, në ato që ai i quan “reforma institucionale”, kështu, ndërsa synon të verë nën kontroll KD të RTSH-së, ndërmerr papritur një tjetër operacion, sulmon organin e KKRT-së, e prapë nuk rresht; e teksa është duke “operuar” në këto organe, shkakton diku tjetër dhimbje, në Presidencë, pastaj në KL të Drejtësisë,pastaj në organin e Prokurorisë së Përgjithshme, pastaj në Akademi, pastaj në INSTAT, në SHIK e kështu me radhë…Nuk ka gjymtyrë të shoqërisë shqiptare ku nuk hyn bisturia e më pas edhe celulari i tij “reformator”. Celulari i tij bëka çudira jo me zë, po me mijëra sms-ëra spiunllëqesh! Me këtë “celular-bisturi” ai do të operojë korrupsionin e do të shpallet kampion i antikorrupsionit në botë!
Opozita si dhe ajo që quhet “shoqëri civile”, dmth “të afërmit e të sëmurit”, bashkë me anestezistët ndërkombëtarë, ca prej paniku e ca prej emocioneve, harrojnë sëmundjen e parë, harrojnë edhe operacionin e dytë, sepse prej hallit që i ka zënë ndjekin fatin e operacionit më të fundit e më pas harrojnë edhe të dytin edhe të tretin, gjersa, më në fund, psherëtijnë e thonë vetmevete:”Inshallah i sëmuri shpëton nga vdekja!” Kështu arsyetojmë edhe ne, qytetarët kur pajtohemi me të keqen më të vogël para së madhes! Konferenca e fundit e Berishës kishte pikërisht këtë qëllim: të na detyronte të besojmë se Doktori është i vetmi që mund të na operojë nga kjo sëmundje: në dorën e tij pra është ose vdekja, ose jeta jonë e mëtejme!
E vizatuar thjesht, kjo është tabloja metaforike e politikës se ditës. Doktor Berisha e njeh mirë psikologjinë e të sëmurit (të korruptuarit) e të familjarëve të tij (popullit), që janë të detyruar të presin me merak e ankth jashtë, në oborr. Ai e di se opozita ndaj tij është e brishtë e përherë do të gjendet e papërgatitur para mësymjeve totale të tij, para “operacioneve” të kësollojshme të tij. Ai e di se opozita e sotme vërtet kundërshton, po pastaj do të ulë kokën, do të pajtohet e tërhiqet dhe, me hir e pahir do të pranojë rezultatet e “operacioneve” të tij me yrrysh. Opozita është tërhequr përherë edhe kur ka qenë në pozitë, sepse Doktori,duke qenë i “zanatit”, duke “operuar” fort me “faktin e kryer”, nuk ka duruar dhe ka hyrë me forcë në “sallën e operacionit”, (si bëjnë rëndom të “fortët” nëpër spitale) duke detyruar kryemjekun të dorëzohet e të tërhiqet pa kushte (kujto kryeministrinë në vitin 1998), që të kryejë ai vetë operacionin e dëshiruar, teksa mjeku që po punonte (në kryeministri), pas sulmit të tij, nuk ka parë se nga ka ikur…
Edhe kësaj here, duke e vetëshpallur veten kampion të antikorrupsionit, Berisha provon se sulmi ka qenë dhe është për të mbrojtja më e mirë! Të shkaktosh dhimbje në një organ të shëndoshë që të mos ndjehet “operacioni” në organin ku do të ndërhyhet,ashtu si banditët që,për të tërhequr vëmendjen e policisë bëjnë zullum të rremë në ndonjë lagje periferike që të vjedhin të qetë bankën e qytetit.Kështu po vepron edhe Berisha me antikorrupsionin. Ne vend që të ishte në bankën e të akuzuarit, ai sulmon për të tërhequr vëmendjen nga akuzat ndaj tij për korrupsion nepotik e familjar. Në çdo vend normal demokratik do të mjaftonin vetëm shifrat e fundit korruptive të KLSH! Por ai nuk tërhiqet kurrë nga bedenat e sulmit bash për këtë arsye: të largojë vëmendjen dhe të tërheqë zvarrë nëpër shtigje pa rrugëdalje opinionin publik. Është e vështirë të gjesh ndonjë rast që Berisha të jetë tërhequr, edhe kur vërejtjet vijnë nga ndërkombëtarët (këtë ai e quan dobësi, dorëzim, faliment, ndërsa opozita e sotme “politikë të re”), ashtu si është vështirë të kujtosh ndonjë rast që opozita, sidomos kur ishte në pozitë të mos jetë tërhequr pas sulmeve të ashpra të Doktorit e të “mamurrsve” të tij. Berisha e di se po i la “operacionet” në mes do të përgjigjet, do të humbasë emrin dhe pushtetin, mund të ndëshkohet, si u ndëshkua nga “rebelimi” në vitin 97…Më mirë të vdesë pacienti se të dorëzohet kirurgu, duke braktisur sallën. Ai e çoi vendin në prag të luftës civile dhe nuk u tërhoq, përkundrazi, në situatën më të keqe, në gjendje të jashtëzakonshme, ai ngulmoi të zgjidhej për herë të dytë President. Dhe u zgjodh pavarësisht nga çmimi tepër i shtrenjtë i këtij “operacioni” të rrezikshëm në trupin e rraskapitur e të sëmurë të shoqërisë. Gjurmët e atij “operacioni” tragjik akoma nuk janë shlyer. Por Doktori e di fort mirë se të afërmit e të sëmurit mund të të falin (a nuk e falën?), madje edhe të të nderojnë, (sepse populli nuk ka si të marrë vesh tërësinë dhe kompleksitetin e fajeve të të mëdhenjve!) por ama nuk të falin nëse mjeku e braktis sallën dhe e lë operacionin të pakryer…E pra, tani, çfarëdo që të ndodhë në këtë vend, jo një Gërdec, po qoftëlarg disa Gërdecë, Berisha kurrë nuk do të dorëhiqet, ashtu si u detyrua të ikë nga Presidenca apo si iku Nano, urtë e butë në 2005-ën! Prandaj Berisha tha në Shkodër se do të fitojë sërish në 2009-tën, gjë që do të thotë, veç të tjerash, se kësaj here ai ka shumë frikë të largohet! Prandaj e shpalli veten kampion të antikorrupsionit, që të shpëlajë sadopak duart e fytyrën e që të na bindë se vetëm ai mund “të na nxjerrë në gjysmën e hënës me dritë”!
Kjo është logjika vepruese e tij: më mirë të vdesë pacienti se të diskreditohet kirurgu! Dorëheqja, tërheqja nga posti është dorëzim pa kushte! Diktatorët dhe autokratët tmerrohen nga fillimi i fundit! Prandaj largimi i mundshëm i tij, me që është pa kthim prapa e me që shoqërohet me akuza të rënda për korrupsion, do të ishte për të një ikje më e rrezikshme dhe më e frikshme se ikja e detyruar e tij nga pushteti në vitin 1997! Në politikë Berisha arsyeton e vepron si mjek, ndërsa në mjekësi si politikan. Kurse në jetën e përditshme beson se i përket historisë! Ja përse nuk mund t’i thuhet “Berisha ik!” njeriut që na tund para kamerave bisturinë dhe celularin e tij spiun! Le të guxojnë pra prokurorët ta thërresin për të dëshmuar, me që ai vetë e hoqi i pari imunitetin! Nga “celulari” i tij kanë për të dalë kushedi se sa “mesazhe” “diskredituese”, dmth kërcënuese për ta!
***
Po të ishte opozita e sotme në pushtet me siguri do të ishte tërhequr për gjobën e vënë ndaj televizionit News 24. Mazhoranca e djeshme do të ishte tërhequr për të gjitha projekt-ligjet, nëse do të kishte guxuar të merrte nisma si ato të qeverisë së sotme. Po kështu, nëse do t’u kishte ndodhur Gërdeci socialistëve, qeveria do të kishte dhënë, fill pas protestës së parë, dorëheqjen…Opozita e sotme ka dëshmuar se pranon të tërhiqet pas sulmeve të papërballueshme të Berishës edhe kur argumentet e tij kanë qenë absurde. Jo, nuk është vetëm frika prej tij. As se krerët socialistë kanë pas qenë më “liberalë”. Në të vërtetë është kompleksi i vjetër i inferioritetit që buron prej origjinës së largët të PS, mendësi që i detyron të gjykojnë e të veprojnë kësodore: Më mirë të tërhiqemi që të provojmë se jemi të reformuar!...Që të mos na quajnë ish komunistë të pandreqshëm!... Se mos vjen në Tiranë zonja Doris Pack e na bën rezil…Se mos na thërret ambasadori amerikan ose ai i BE-së e pastaj dalin me ndonjë deklaratë kundër nesh…etj, etj…
Edhe teoria e gjithëpërfshirjes, në dukje demokratike e liberale, përfundoi praktikisht në flirte e në pazare të ndyra e mjaft të dëmshme me skifterët e egër e PD-së, me ata që luftonin me mish e me shpirt të përmbysnin me dhunë qeverinë e ligjshme, me ata që deformonin standardet e demokracisë në emër gjoja të demokracisë, që krijonin për Shqipërinë e për shqiptarët shëmbëlltyrën e njerëzve të pagdhendur, të shfytyruar, pa kulturë të mjaftueshme demokratike...Shumica e tyre jo vetëm u mbajtën në punë, po edhe u emëruan drejtorë drejtorish e madje u bënë edhe ministra. Kjo nuk ishte gjithëpërfshirje, kjo ishte gjithëfshirje e sistemit të vlerave e meritave, e, rrjedhimisht, edhe e funksionit demokratik e normal të shoqërisë! As edhe një nga ata që sulmuan RTSH dhe e pushtuan, as edhe një nga ata që e dogjën dhe pastaj me arkivol çanë dyert e pushtuan Kryeministrinë nuk u dënuan! Përkundrazi, ata sot janë emëruar/shpërblyer nga shefi i tyre në poste kyçe, në institucione “të pavarura” ku lipset përkushtim dhe bindje më shumë se në vitet 92-97! Mosdënimi i fajtorëve politikë është një nga fajet më të rënda e më të pafalshme të qeverive socialiste, sepse prej tyre u krijua precedenti se në Shqipëri mund të vjedhësh sa të duash, mund shpifësh e të njollosësh këdo, mund të shkatërrosh pronën publike, mund të djegësh pyje, qytete e njerëz, mund të hedhësh në erë shtylla elektrike, po edhe shtetin dhe nuk të dënon kush…Kuptohet, po të kesh të veshur një kostum politik!
Vetëm në qeverinë socialiste mund të ndodhte që ministri i jashtëm të bënte propagandë te ndërkombëtarët kundër kryeministrit të tij. Le më pastaj ambasadorët e nëpunësit e dikastereve, të cilët në shumicë nuk lëvizën nga postet, jo për hir të statusit, as të “politikës liberale”, as pse ata shanin hapur qeverinë, po për hir të interesave meskine të drejtuesve më të lartë të kupolës, të cilët kishin bërë me ta ortakllëk, sepse jetonin me frikën dhe merakun: “ta kemi mirë me kundërshtarët tanë që këta as të mos na i nxjerrin të palarat nesër në shesh”! Ata zbatonin kësisoj politikën e mafiozëve: “mbaj afër miqtë, po më afër mbaj armiqtë!” Kurse Berisha vepron krejt ndryshe: as pastrueset nuk i lë të pastrojnë shkallët e zyrave, po qe se të gjorat kanë ndonjë kushëri socialist! Me këtë lëndë njerëzore, me këtë moral pa moral, ai thotë se do të bëhet kampion botëror i antikorrupsionit!
Berisha dhe taborri i tij politik, spastruan shpejt e shpejt administratën dhe qëruan thelpinjtë e të gjitha institucioneve, të varura e të pavarura. Ata ndryshuan edhe ligje brenda një nate, madje edhe sallën e plenumeve të KQ të PPSH për të vënë nën kontroll pushtete të tjera, pa çarë kokën as për ndërkombëtarët, madje as për ambasadorin amerikan e të OSBE-së, kur këta dolën e thanë…kështu e ashtu…Por akuzave të rënda për korrupsion familjar që vijnë nga burimet e brendshme ose ndërkombëtare, Doktori nuk fsheh kokën, si bënin disa ministra socialistë që fshiheshin poshtë tryezave kur Berisha ishte në opozitë dhe dilte në tribunë që të shante dhe akuzonte, ministrat radhazi, madje edhe kryeministrin dhe Presidentin i quante “kryemafiozë të lidhur me kartelet ndërkombëtare të drogës e të trafiqeve”, por del në konferencë për shtyp dhe shpall betejën e tij “të jetës: antikorrupsionin”! Kur dëgjon atë, njeriu i thjeshtë hutohet e thotë: Po të mos ishte ky shpëtimtar, që na çliroi nga komunizmi e tash edhe nga korrupsioni, si do të vinte halli ynë?
Nga që e shpall qëllimisht veten si misionar, Berisha, edhe kur e akuzojnë për korrupsion të përmasave “Gërdec” egërsohet e del përballë, me sharje nga nëna e nga motra,pa lëshuar frerët e kalit të tij të betejës: “tolerancë zero ndaj korrupsionit!”, fjalë që në të vërtetë janë narkozë për ata që nuk kanë as sy e as veshë...Ai tund flamurin e ndershmërisë nëpër ekrane e sheshe katundesh,duke qenë përherë në sulm, si të jetë ëngjëlli ynë me “duar të pastra!”…Sa më shumë e akuzojnë, aq më shumë përdor Doktori narkozën e antikorrupsionit për të currufjepsurit!…
Sado absurde të duket kjo sjellje, narkoza e tij me spote e konferenca shtypi me sa duket vepron jo vetëm te një pjesë e opinionit publik, po edhe te ndërkombëtarët, të cilët e marrin si të mirëqënë e funksionuese “operacionin”e tij antikorrupsion në një shoqëri të sëmurë rëndë, si kjo e jona.
Por ka ardhur koha të kuptojmë se është Doktori ai që është i sëmurur rëndë, se ai është infektuar në mënyrë të pashërueshme me virusin e korrupsionit. Ndaj jo vetëm duhet kuruar, por duhet “operuar” urgjentisht, me ose pa narkozë, me politikë të vjetër ose të re, sepse vetëm kështu mund të shpëtohet shoqëria shqiptare që po lëngon në këtë tranzicion të pafund, natyrisht jo për faj të qytetarëve të vet!

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›