E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza botërore dhe rreziqet për sistemin tonë bankar

Nga Ardian Fullani
Sistemi bankar në Shqipëri është fitimprurës, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Treguesi i likuiditetit vazhdon të mbetet në nivele më të larta se vendet e tjera të rajonit. 

 Aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësojnë 47 për qind të totalit të aktiveve, duke shënuar një rënie prej rreth 5.7 pikë përqindje, në krahasim me fundin e vitit 2007. Por, përhapja e krizës së ekonomisë amerikane në tregjet ndërkombëtare financiare dhe paqartësia për natyrën e efekteve, për hartën e institucioneve, për llojin e instrumenteve dhe për përmasat e saj, teorikisht rrit rrezikun e ndikimit të sistemit financiar në vend. Praktikisht, kjo krizë nuk e ka shtrirë ndikimin e vet në aktivitetin bankar në Shqipëri. Imuniteti i sistemit tonë ndaj kësaj krize rrjedh nga disa faktorë si: niveli relativisht i ulët i ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare; niveli i ulët i integrimit në përgjithësi; dhe mirëkapitalizimi i veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre, që veprojnë në vendin tonë. Në përgjithësi, gjykojmë se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Megjithatë, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit. Kur analizohen këta të fundit, është e rëndësishme që të mbani në konsideratë disa elemente:
Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si “likuide”. Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët.
Së dyti, diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar.
Së treti, për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.
Së katërti, disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit.
Së pesti, për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficiencës, sektori bankar në vendin tonë ka patur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të eficiencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë, vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e eficiencës në përdorimin e fondeve nuk cënon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.
Të gjitha këto elemente, konfirmojnë nevojën që strukturat drejtuese të bankave të ndjekin praktika, që lejojnë vetë institucionin të plotësojë nevojat e pritshme për likuiditet në mënyrë të pavarur, por duke patur edhe alternativa, të cilat përmirësojnë aftësinë e tyre për të gjeneruar likuiditet në rast nevoje.
Në kuadrin e zhvillimeve ekonomike globale, pasiguria për zhvillimet e ardhshme në çmimet e mallrave të konsumit dhe në rritjen ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian të Zonës së euros dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të diktojë ecurinë e normave të interesit në tregjet e parasë dhe të kredisë, si edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Nëpërmjet ekspozimit të sektorit tonë financiar në burime dhe aktive të përcaktuara në valutë, këto lëvizje mund të ndjehen edhe në tregun e brendshëm. Ekziston, gjithashtu, rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta.
*) Nga fjala në takimin e djeshëm me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, që operojnë në Shqipëri

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›