E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Shqipëria ka nevoje për rindërtim

Nga Besim Ndregjoni
Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm ish-komunist i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e sistemit komunist, të cilat me shumë se kurrë, sot janë më të rrezikshme. 

 Këto ditë në një televizion kombëtar, një gazetare, nostalgjike dhe militante e komunizmit, duke shfrytëzuar hapësirat e kësaj media, pa e vrarë ndërgjegjja me një servilizëm të pështirë, pa asnjë moral në interes të profesionalizmit të gazetarisë, intervistoi për një ore e me shumë bashkëpunëtoren e diktatorit, pjesëmarrëse dhe drejtuesja kryesore e ideologjisë së diktaturës për më shumë se 45 vjet, bashkëshorten e diktatorit me kriminal të Europës, Enver Hoxha, vejushën, Nexhmie Hoxhën. Si aktivist i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut,dhe si sekretar i përgjithshëm Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politike të Shqipërisë, ndoqa me shumë vëmendje se si do të reagonte politika dhe institucionet e shoqërisë civile, e analistët për këtë intervistë, sa antikombëtare, aq fyese e përçmuese, për një shoqëri demokratike. Isha i mendimit dhe i bindur se analistët jo vetëm do të mbushnin faqet e gazetave, por do të analizonin me paanshmëri dhe do të protestonin, me forcën e fjalës, kundër daljes se një gruaje që këtij populli i shkaktoi tragjedi njerëzore që dhe sot, pas një periudhe 18-vjeçare pluralizëm, mijëra familje shqiptare po i vuajnë. Kërkojnë e kërkojnë me vite, eshtrat e prindërve, motrave e vëllezërve, që “kjo dhe vetëm kjo” ua shkaktoi shqiptarëve me ideologjinë e krimit, tragjedinë. Lexova opinionin e Henri Çilit, i cili e zvogëlonte aq shumë këtë intervistë djallëzore, dhe e paraqiste këtë, një “intervistë biografike” qe e kishte për zemër bashkëpunëtorja e krimit komunist, vejusha Hoxha. Vlerësonte gazetaren, “analize” për mendimin tim sa e pamoralshme për mijëra jetë njerëzish të pushkatuar për liri, aq dhe inaktive për shoqërinë tonë të lodhur nga ideologjizmat e analistëve që heshtin përpara krimit 45- vjeçar të komunizmit shqiptar.
Prita që drejtuesi i opozitës, qe gjatë këtyre tre viteve të drejtimi të PS flet nga mëngjesi deri ne darke për politike të re, ndarje me të kaluarën etj, por ai, heshti ndaj këtij veprimi antikombëtar dhe shumë të rrezikshëm për ekuilibrat e shoqërisë. Është përgjegjësi kombëtare zoti drejtues i opozitës, përpara kombit qe të ndalohet fyerja dhe urrejtja në një sistem demokratike, siç u veprua me atë emision, qe preku dinjitetin e shumicës shqiptare qe provuan vuajtje dhe përçmime nga kjo Panterë e Zezë, që drejtoi me forcën e armeve dhe të krimit këtë komb.
Analistë, politikanë, është e pamoralshme, e padenjë, por edhe tendencioze, që për një arsye ose një tjetër, i ashtuquajtur televizion i pavarur, në emër të shprehjes se lirë të mendimit vë në rrezik dhe merr në pikëpyetje integritetin e këtij kombi të masakruar nga diktatura. Ajo, vejusha e diktatorit, duke kujtuar përvjetorin e diktatorit i bën karshillëk vuajtjeve të këtij kombi, duke ofenduar në të njëjtën kohe legjitimitetin e organizmave demokratike. Por duke fyer dhe Ju, që promovoni analizat dhe politikat tuaja përpara shoqërisë.
Nëse në një diktaturë drejton një diktator apo një kastë, një parti, siç ishte diktatura kriminale e komunizmit në Shqipëri, në demokraci drejton e gjithë shoqëria, drejtojnë institucionet e shoqërisë civile, të cilat jo vetëm qe i bëjnë oponencë shtetit, por e detyrojnë këtë të fundit që mos të cenojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të vet. Dhe ne vendin tonë kemi organizata dhe institucione të shoqërisë civile, si Komitetin e Helsinkit, Grupin e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Avokatin e Popullit, e dhjetëra organizma qe paguhen me paga të majma nga qeveritë dhe popujt e vendeve demokratike të Europës dhe taksapaguesit shqiptare, qe të jenë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto organizma në një shoqëri demokratike janë oksigjeni i zhvillimit dhe të funksionimit të shoqërisë. Por çfarë po ndodh me këto institucione në vendin tonë!? Sa të përgjegjshëm janë këta drejtues, për misionin që kanë, sa i përgjigjen realitetit të sotëm të shoqërisë. Të përndjekurit politike shqiptarë, pjesë e kësaj shoqërie, me një moral shumë të çmuar, në këtë periudhë tranzicioni tregoi vlera të larta morale, duke mos bartur, mllefin dhe urrejtjen për vuajtjet që i kishte shkaktuar diktatura. Manifestoi dhe promovoi dashuri dhe paqe, megjithëse vinte me një bilance tragjik njerëzor. “Nga këto institucione të shoqërisë civile” nuk njohu asnjë ndihmë apo mbrojtje për të drejtat dhe liritë e tyre, nuk njohu nga këto institucione asnjë mbrojtje të të drejtave ligjore kushtetuese qe qeveritë nuk i zbatonin e nuk po i zbatojnë për këta qëndrestarë, kundërshtarë të diktaturës. Shtrohet pyetja? Për kë punojnë këto institucione, për vete apo për shoqërinë! Në dokumentacionin e tyre nuk do të gjeni për 18 vite asnjë lloj proteste në mbrojtje të të përndjekurve politikë shqiptare, nuk do të gjeni asnjë lloj aktiviteti për integrimin e tyre në shoqëri, që në këtë periudhë tranzicioni të zgjatur po vuajnë më shumë se pjesa tjetër e shoqërisë. Me kot pritëm, që këto institucione të protestonin për intervistën e vejushës Hoxha, e cila si bashkëpunëtore dhe bashkëfajtore në genocidin e krimeve të komunizmit i shkaktuan, elitës së kombit, qendrestarëve, dhe viktimave të komunizmit, apo siç i quajmë tani, të përndjekurit politike, “Heshtën”. Heshtje, heshtje, heshtje, shoqja Vasilika e Komitetit të Helsinkit, heshtje e Avokatit të Popullit, heshtje e zonjës Elsa e Grupit të të Drejtave të Njeriut. I vetëm që u prononcua ishte Ardian Kati, drejtori i Qendrës së Traumës dhe Torturës. Drejtues të pamerituar të këtyre institucioneve, ju duke mos protestuar për dënimin e krimeve të komunizmit të ideuar dhe zbatuar nga vejusha Hoxha, as me pak dhe as me shume me veprimin tuaj të pamoralshëm, i shërbyet intervistës dhe krimeve të komunizmit dhe u bëtë bashkëpunëtorë me të. Çdo heshtje ndaj krimit është pajtim me të kaluarën e hidhur e kriminale qe pësoi populli shqiptar. Ju kujtoi se e keni detyrim dhe përgjegjësi ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të dënuar krimin komunist në Shqipëri. Në rezolutën e Parlamentit shqiptare bazuar ne Rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Europës, kërkohet të dënohen krimet e komunizmit, për ju ata nuk duhen dënuar. Në pikën 7 të kësaj rezolute thuhet shprehimisht: “Kuvendi i Shqipërisë dënon fuqimisht dhunimin masiv të të drejtave dhe lirive të njeriut të kryer nga regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Sa e zbatoni ju ketë rezolutë të AKE, dhe të Parlamentit shqiptar”?
Është faj e dënohet, mendimi apo veprimi dhe synimi juaj djallëzor e dashakeq që e kaluara e totalitarizmit komunist të harrohet. Gaboheni ju militantë të vejushës së diktatorit, se me harresën dhe qëllimin që keni të dëmtoni shoqërinë shqiptare me harresën, apo heshtjen që tregoni si militantë të se keqes qe jeni, se shoqëria shqiptare në përgjithësi, por të përndjekurit politike ne veçanti nuk do të ju tolerojnë juve, të lozni apo të poshtëroni dinjitetin e tyre, se janë ata që për ketë dinjitet nuk ju përkulen apo u bënë puthadorë të diktaturës siç u bëtë ju, qe sot pa asnjë të drejtë morale fatkeqësisht jeni ne krye të atyre institucioneve, duke i shkaktuar shoqërisë dëme të pallogaritshme si morale dhe ligjore. Ka ardhur koha që këto institucione të mos jenë më e militantëve të diktaturës, por të jene ne shërbim të shoqërisë që demokracia në Shqipëri të njohë progrese dhe zhvillime. Çdo vonese reformë në këto institucione, është një ndalese e zhvillimeve demokratike ne vendin tone. Institucionet e shoqërisë civile nuk duhet të jenë me pronë e militantëve politike dhe nostalgjikeve të diktaturës, dhe të jenë nën komandën e forcave regresive politike.
Fakti qe të gjithë të përndjekurit politike, motrat dhe vëllezërit tona, nuk u hodhën me urrejtje e marrëzi në fushën e hakmarrjes tregoi pjekuri dhe moral. Kjo, nuk do të thotë që Vasilikat, e kompani t’i lejomë që të favorizojnë në emër të demokracisë, t’u japin të drejta të pamerituar, bashkëpunëtorëve të krimit komunist e të shkelin të drejtat tona. Ky manifestim i fuqishëm moral nga ana e ish-të përndjekurve politikë, ka krijuar një superioritet moral e politik qe nuk do të shuhet kurrë, dhe do të çmohet kurdoherë. Fakti që ne sot përbuzemi nga “oportunistët e klasës së dështuar politike dhe të institucioneve të dështuara të shoqërisë civile ne Shqipëri”, nuk e ndryshon balancën. Prandaj kërkesat tona marrin një karakter imponues dhe fitojnë një urgjencë që duhet të prekë çdo ndërgjegje të pastër shqiptare. Shqipëria ka nevoje për një rindërtim moral dhe institucional më shumë se kurrë. Përndryshe, çdo gjë mbetet pa kuptim.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›