E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, PS siguron 6 mandate në parlament

Në qytetin e Vlorës janë gjithsej tre vendnumërimi të votave, ajo tek Pallati i Sportit Flamurtari, më e madhja për nga numri i kutive të votimit, ajo tek Shkolla e Mesme Ali Demi dhe ajo tek shkolla tjetër Halim Xhelo. Procesi i numërimit të votave ka ecur mirë gjatë gjithë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit, rreth orëve të mesditës është vërejtur një lodhje tek numëruesit ndonëse ata edhe janë zëvendësuar herë pas here. Gjatë hapjes së kutive të votimit për numërim është vërejtur një gabim në kutinë e votimit të fshatit Dhërmi që është edhe më i madhi i zonës së bregdetit. Në vendin e caktuar për të shënuar numrin e pasaportës apo të kartës së identitetit të votuesit është shënuar vetëm mjeti me të cilin votuesi ka votuar çka është diskutuar nga KZAZ por nuk është marrë asnjë vendim dhe këtë vendim pritet ta marrë KQV. Gjatë gjithë procesit të numërimit të votave mediat nuk kanë pasur asnjë pengesë për ta ndjekur nga afër atë. Nuk kanë munguar as prononcimet e drejtuesve të këtyre qendrave me përjashtim të kryetarit të KZAZ 61 Agron Gjipali që është njëherazi edhe sekretar i këshillit bashkiak që u ka qëndruar larg mediave. Përfaqësuesit e dy partive politike kryesore në qytet, asaj të PS Eltar Deda dhe sekretari politik i qarkut Shpëtim Gjika dhe kryetari i PD Ardian Kollozi e kanë ndjekur nga afër të gjithë procesin dhe gjatë prononcimeve të tyre nuk kanë pasur asnjë pretendim për zhvillimin e të dy proceseve, atij të votimit dhe të numërimit. Gjatë procesit të numërimit është vënë re se pas çdo kutie që mbaronte numërimin e fletë votimeve PS ka qenë gjithmonë në udhëheqje të rezultatit, duke mos i vënë asnjëherë në dyshim 5 të parët e listës për të qenë në parlamentin shqiptar dhe duke pretenduar edhe më tepër. Ndërkohë që nga PD të sigurtë kanë qenë vetëm tre të parët. Lufta zhvillohej gjatë të gjithë kohës së votimit midis partive pretendente të tjera si LSI, PBDNJ, PDI dhe PSD. Ritmet e numërimit kanë qenë të ngadalta.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›