OSBE: Ka rënë lufta ndaj krimit të organizuar

Në raportin e mbajtur në Këshillin e Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Robert Bosh thekson se niveli i arrestimit të zyrtarëve të korruptuar është në nivelin e “mesëm”, ndërsa në kuadrin e luftës ndaj krimit të organizuar, sipas OSBE-së, ende shëtisin të lirë disa nga krerët e bandave më të fuqishme.
OSBE-ja, e cila në përgatitjen e raportit është mbështetur kryesisht në raportimet e mbledhura nga stafi i saj, apo edhe nga raporte të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare thekson se, “në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore, qershori 2008 pa publikimin e një raporti kritik nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, ku thuhej se është shënuar progres i pakët në identifikimin e viktimave të trafikimit dhe se ka pasur mungesë ose rënie të ndjekjes penale të trafikantëve.
Në luftën kundër korrupsionit, megjithëse viti i fundit pa një numër zyrtarësh të nivelit të mesëm të cilët u ndoqën penalisht, zyrtarë të lartë publikë dhe grupe kryesore të krimit të organizuar mbeten ende ‘në gjendje të lirë’.
Megjithëkëtë, në shtator 2008, Treguesi më i fundit i Perceptimeve të Korrupsionit i ‘Transparency International’ shënoi përmirësime të ndjeshme krahasuar me raportin e vitit 2007”.
Administrata
Duke e konsideruar administratën si një pjesë të rëndësishme të shtetit të së drejtës në vend, OSBE-ja thekson në raportin e saj vjetor se ka një trajtim politik të nëpunësve publikë dhe kjo vihet re kryesisht në Policinë e Shtetit.
Sipas raportit të OSBE-së: “Sa i përket çështjeve të përgjithshme të rendit, përfshirë Policinë e Shtetit, arritja më e madhe e qeverisë ka qenë miratimi i ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Synimi kryesor i ligjit të ri është ndarja e përgjegjësive politike nga ato operative.
Megjithatë, ka pasur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike”.
Ndërkaq ka qenë shqetësim për misionin e OSBE-së në Tiranë largimi i asaj armate të nëpunësve publikë, të cilët janë trajnuar nga komuniteti ndërkombëtar në bazë të fondeve të konsiderueshme.
Në raportin vjetor të OSBE-së theksohet se “në administratën publike, viti i fundit pa përsëri një rotacion të konsiderueshëm në organikë, duke vazhduar të mbetet problem niveli i përkatësisë partiake, i përdorur në procesin e rekrutimit.
Megjithëse një numër i madh i të larguarve janë ankuar me sukses pranë Komisionit të Shërbimit Civil dhe më pas i kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën e Apelit, vetëm një numër i vogël rastesh njihen ku individët janë kthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.
Në radhët e policisë, megjithëse shumë prej largimeve mund të kenë qenë të justifikuara, disa nga procedurat e përdorura për largimin e tyre janë parë si jotransparente.