E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazllic është i varfër

Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç rezulton i “varfër”. Të paktën kjo është përgjigjja zyrtare e deritanishme e bankave të nivelit të dytë.

Në shkresat e mbërritura në Prokurorinë e Tiranës, thuhet se serbo-boshnjaku ka një llogari bankare sa një qytetar i thjeshtë shqiptar.

Të gjendur përballë kësaj situate, prokuroria vendosi bllokimin e shumës “qesharake” deri në përfundimin e hetimeve.

Gjithsesi, hetuesit thanë se kjo është një përgjigje paraprake, pasi pjesa më e madhe e bankave nuk kanë sjellë ende materialin e kërkuar.

Por nga ana tjetër, hetuesit e çështjes dyshojnë se Fazlliç mund të ketë transferuar kapitalin e tij në disa emra të tjerë. Pas ardhjes së të gjitha përgjigjeve, prokurorët do t’i kërkojnë “llogari” bankave për transferimin e shumave.

“Ekzistojnë dyshime se shtetasi Damir Fazlliç, ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal në Prokurorinë e Tiranës, ka transferuar të holla nga llogaritë e tij në drejtim të shtetasve të tjerë shqiptarë”, thanë burimet.

Emri më i përmendur nga hetuesit është ai i Erion Isufit, kunatit të ministrit aktual të Jashtëm, Lulzim Basha. Gjithsesi, ka dyshime se Fazliç mund të ketë transferuar kapital edhe në drejtim të shtetasve të tjerë.

Nisur nga këto dyshime, hetuesit bllokuan llogaritë bankare të Erion Isufit. Urdhri është lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve për shtetasin Damir Fazlliç.

“Kemi dyshime se personi nën hetim, Damir Fazlliç, ka transferuar shuma të konsiderueshme në drejtim të shtetasit Erion Isufi, duke konsumuar disa elementë të veprës penale.

Kapitalet e lëshuara nga Fazliç kanë përfunduar në kompanitë e drejtuara ose të administruara nga shtetasi Erion Isufi”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

“Kemi urdhëruar bankat e nivelit të dytë për bllokimin e pasurive të Erion Isufit. Bllokimi do të jetë disaditor, deri në hetimin dhe verifikimin e plotë të informacioneve.

Nëse vërtetohet se ‘pasuria’ e Isufit nuk është transferuar nga Fazliç apo nga kompanitë që ai ka në pronësi, atëherë ajo do të zhbllokohet.

Në rast të kundërt, prokuroria pritet t‘i kërkojë gjykatës sekuestro paraprake”, vijojnë burimet nga grupi i hetimit. Hetues të çështjes konfirmojnë se krahas Isufit, akuza ka bllokuar llogaritë edhe të disa personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë vënë kapitalin me “ndihmën” e Fazlliçit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›