E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: “Klima politike në Shqipëri është përmirësuar, progres në luftën kundër kriminalitetit”

21-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth prezanton përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë raportin për Shqipërinë, ku evidenton përparimin në kursin e reformave, megjithë ritmin shqetësues “ec e ndalo”. Paralajmërohet një klimë politike konkurruese dhe situatë polarizuese në fushatën e ardhshme elektorale

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në raportin e prezantuar dje në Këshillin e përhershëm të OSBE-së për Shqipërisë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.
Wollfarth thekson se bashkëpunimi politik është orientuar drejt miratimit të kuadrit të reformave me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. “Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të Partisë Socialiste (PS) në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit. Përveç kësaj, në fund të vitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 u miratuan një sërë ligjesh të rëndësishme, që kërkonin një shumicë të cilësuar votash prej tri të pestash, të parat vendime të tilla pas zgjedhjeve të diskutuara parlamentare të vitit 2009. Gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh”.
Sipas tij, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake.
“Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha ‘ndal dhe ec’. Në perspektivë, çështja kryesore është nëse të dyja palët do të arrijnë të ruajnë impulsin për reforma në vitin 2013, një vit që, për nga forma që po marrin zhvillimet, duket se do të jetë një vit zgjedhjesh parlamentare tejet konkurruese”, thuhet në raportin e kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë. Në raportin e tij, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth thekson gjithashtu progresin e shënuar në luftën kundër kriminalitetit, përparimin e proceseve legjislative si dhe kompletimin e reformës zgjedhore. Veçanërisht, ambasadori Wollfarth kujtoi para panelit të këshillit të përhershëm të OSBE-së në Vjenë se, procesi i zgjedhjes së Presidentit ishte konform Kushtetutës, pavarësisht ndasive politike të krijuara nga mazhoranca dhe opozita.

Reforma Zgjedhore tregoi vullnetin ndërpartiak
Sa i përket reformës zgjedhore, hapi i parë i prekshëm, që tregoi vullnetin e partive politike për të kapërcyer ngërçin politik, u hodh me arritjen e një marrëveshjeje ndërpartiake, në Kuvend, por thekson edhe bllokimin që i solli politika kësaj reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike. Meritë e madhe u duhet njohur atyre që u përfshinë në këtë proces dhe, kryesisht, dy bashkëkryetarëve, si dhe anëtarëve të grupit të ekspertëve teknikë, nga PD-ja dhe nga PS-ja. Reforma u miratua, përfundimisht, nga Kuvendi, më 19 korrik dhe Kodi i ri Zgjedhor u dekretua nga Presidenti më 16 gusht dhe hyri në fuqi më 1 shtator”.

Zgjedhja e Presidentit, sipas kushtetutës
Në raportin e tij për këtë çështje kreu i prezencës së OSBE-së thekson se zgjedhja e presidentit ishte konform kushtetutës pavarësisht se nuk u arrit me marrëveshje nga të gjitha palët. “Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”, thuhet në raportin e Wollfarth.

Policia përparim në luftën kundër krimit
Në luftën kundër krimit, policia e shtetit ka shfaqur përmirësim të dukshëm në disa fusha, sidomos në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe në menaxhimin e kufirit. “Janë kryer operacione policore antidrogë intensive, duke sjellë një rritje të konfiskimeve brenda Shqipërisë dhe një rënie në drogat që arrinin të kalonin tranzit. Megjithëse kultivimi i kanabis-sativës vijon ende në disa zona, shkalla e kultivimit është ulur ndjeshëm. Megjithatë, policia do të ketë sukses të plotë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike vetëm me mbështetjen e plotë të autoriteteve vendore dhe komuniteteve të tyre përkatëse. Rezistenca ndaj zbatimit të ligjit është veçanërisht e lartë në një komunë në jug të vendit, ku, si pasojë, përpjekjet e policisë janë intensifikuar, përmes asistencës së shteteve fqinje”.

Përparim në proceset legjislative
Sa u përket proceseve legjislative, Wollfarth vëren se ka një lloj përparimi në mekanizmat e konsultimit të përdorur nga autoritetet kombëtare. “Megjithëse përfshirja e shoqërisë civile është përmirësuar vërtet, nevojitet ende një qasje më e strukturuar. Nevojitet të bëhet shumë më tepër për krijimin e një mjedisi politik më gjithëpërfshirës në Kuvend. Mbeten ende për t’u miratuar disa rregulla specifike për konsultimin dhe transparencën në procesin legjislativ. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për sigurimin e aksesit qysh në fazat e hershme dhe për të rritur transparencën e gjithë procesit të shqyrtimit të projektligjeve. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, e drejta për të qeverisur është një fakt i pamohueshëm, ekziston gjithashtu qartësisht edhe e drejta e opozitës për t’u përfshirë plotësisht në procesin legjislativ parlamentar dhe për të pasur hapësirë të mjaftueshme politike për të marrë frymë”.

Reforma parlamentare, ende pa konsensus
Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar. “Është tashmë e rëndësishme të shihet arritja e një marrëveshjeje, në këtë proces, bazuar në standardet parlamentare ndërkombëtare. Më pas, çdo rregull i ri do të duhet të zbatohet plotësisht”, thekson Kreu i OSBE-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›