“Shqipëria, shanse reale për të marrë statusin e vendit kandidat”
Ambasadori italian, Gaiani dhe ministri i Jashtëm, Panariti ligjëratë në Akademinë Diplomatike
Shqipëria është shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Deklarata është bërë nga ambasadori i Italisë në vendin tonë Massimo Gaiani, i cili theksoi se sinjalet që klasa politike shqiptare ka dhënë ditët e fundit përforcojnë gjithnjë e më shumë mundësinë për marrjen e statusit. Megjithatë, Gaiani apeloi që të përmbyllen sa më shpejt edhe reformat e tjera të rëndësishme, ndërsa konfirmoi mbështetjen e palëkundur, që Italia i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.
Në ligjëratën e mbajtur në Akademinë Diplomatike “Bashkimi Europian – e ardhmja e një projekti të përbashkët, përtej rrethanave të sotme”, Gaiani theksoi se situata duket e favorshme për Shqipërinë.
“Italia mbështet e bindur Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe vlerëson arritjet e Shqipërisë në këto ditët e fundit. Rezultatet janë të rëndësishme dhe kanë vlerë të dyfishtë. Takimet e fundit në Bruksel kanë qenë të frytshme dhe situata duket e favorshme për Shqipërinë”, theksoi ai, duke i bërë thirrje forcave politike që të angazhohen edhe më te dhe të realizohen edhe këto hapa të fundit që duhen bërë në mënyrë që Shqipëria të arrijë objektivat dhe të marrë statusin kandidat.
Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti përshëndeti Akademinë Diplomatike “Bashkimi Europian, e ardhmja e një projekti të përbashkët, përtej rrethanave të sotme. Në fjalën e tij Panariti vlerësoi bashkëpunimin dhe partneritetin me Italinë ndërkohë që konfirmoi mbështetjen që ky vend i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi faktin që ky aktivitet zhvillohet në një moment kyç për Shqipërinë.
“Ky aktivitet vlerësohet në momentin kur Shqipëria pret një mesazh shpresëdhënës, atë të marrjes së statusit kandidat”, deklaroi Panariti, i cili shtoi se dy vendet tona në NATO janë shembull bashkëpunimi të ngushtë me ndikim të drejtpërdrejtë të klimës së sigurisë dhe investimeve afatgjata në rajon e më gjerë.
Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare konfirmoi faktin se Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe nënshkrimi i deklaratës së mirëkuptimit për gazsjellësin TAP mes Italisë-Shqipërisë-Greqisë është tregues që ky projekt strategjik ka për vendet tona dhe që do kurorëzohet me sukses.