E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello bën bilancin e buxhetit për arsimin

Në prag të miratimit të projektbuxhetit për vitin 2009, socialistët shprehen kundër. Deputeti i PS-së, Marko Bello, tha se nga diskutimi paraprak nëpër komisionet e Kuvendit, është konstatuar qartë një diferencë e madhe midis programit 4-vjeçar të qeverisë Berisha dhe shifrave që paraqet drafti për buxhetin e vitit të ardhshëm, që është edhe viti i fundit i kësaj qeverie. “Ne kemi sot të gjitha shifrat e realizimeve dhe mosrealizimeve, të premtimeve të pambajtura, ndaj jemi në gjendje të bëjmë një bilanc të kësaj qeverie që erdhi në pushtet me premtime të bujshme”, - tha Bello. Duke u ndalur tek arsimi, Bello vuri në dukje se para 4 vitesh, Sali Berisha premtoi se do ta katërfishonte buxhetin për arsimin, ndërsa sot në vitin e fundit të mandatit të kabinetit të tij, buxheti për arsimin nuk arriti në 5%, por vetëm 3.5% të PBB-së (GDP). “Edhe shifra prej 3.5%, nisur nga kriza që ka mbërthyer botën dhe po troket edhe në Shqipëri, rrezikon të katandiset në 3% të PBB-së. Pra, një rritje e dobët, larg premtimeve. A do të mbajë qeveria përgjegjësi për këtë premtim të pambajtur?”, - tha ai. Ndërsa në lidhje me pagat e mësuesve, Bello përmendi premtimin për dyfishimin e tyre. “Në zërin për pagat të buxhetit paraardhës ishin planifikuar 14 miliardë e 450 milionë lekë, ndërsa për këtë vit janë planifikuar rreth 20 miliardë lekë, në një kohë që duheshin mbi 24 miliardë lekë që të realizohej premtimi i qeverisë”, - tha deputeti socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›