OSBE: Korrupsioni i shtrirë në shumë sektorë,Prokuroria: Na pengon imuniteti i zyrtarëve
BLEDAR HOTI
Ndërkombëtarët shprehen se korrupsioni në vend mund të luftohet vetëm në rast se do të ketë një gjyqësor funksional dhe të pandikuar nga politika. Këtë deklaratë e mbajti dje kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosch në konferencën e organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive për ditën ndërkombëtare Antikorrupsion. “Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet ta vendosë veten si një organ plotësisht të pavarur. Kjo do të thotë të pavarur nga ndikimet politike, por do të thotë gjithashtu edhe që gjyqtarët nuk mund të blihen apo t’u bëhet presion nga palët në gjykim. Vetëm një gjyqësor i tillë mund të trajtojë me efektivitet çështjet e korrupsionit që vijnë nga administrata publike”, deklaroi Bosch. Kreu i Prezencës së OSBE-së ka shprehur shqetësime dhe në lidhje me mënyrën se si janë trajtuar disa prej çështjeve nga gjykatat për korrupsionin. “Kohët e fundit kemi parë një farë mungese transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Kjo gjë i sjell gjyqësorit një reputacion të keq. I krijon publikut përshtypjen se personat që mund të jenë fajtorë, nuk janë dënuar. Për më tepër krijon një hije dyshimi mbi personat e pafajshëm, të cilët janë akuzuar për korrupsion”, tha Bosch. Ai theksoi se “ne të gjithë e dimë nga një sërë raportesh të kohëve të fundit, disa nga autorët e të cilëve ndodhen me ne këtu, që korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë të jetës në Shqipëri”. “Çfarë dua të them me këtë? Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t’u ndaluar duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës”, tha Bosch. Sipas tij, një shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive. “Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon që KQZ ka për detyrë të mbledhë bilancet financiare të partive politike, atij i mungojnë instrumentet e duhura për hetimin e burimeve të financimit, dhe mungon detyrimi për të raportuar dhurimet që vijnë nga sektori privat”, tha më tej kreu i Prezencës së OSBE-së.
Britania e Madhe
Pas pjesëmarrjes në konferencën e djeshme, Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham e ka cilësuar si primare luftën ndaj korrupsionit brenda institucioneve kryesore. “Qeveria Britanike vazhdon të mbështesë autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile në këtë luftë, si një prioritet. Mbretëria e Bashkuar e shikon luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë dhe drejtësinë, si veçanërisht urgjente”, deklaron diplomatja britanike. Sipas saj,
“progres Raporti i 2009 i Komisionit Evropian për Shqipërinë flet për një “kulturë mosndëshkimi” në jetën publike dhe nevojën për të krijuar një praktikë bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit”. “Të hënën, Ministrat e Jashtëm Evropianë nënvizuan urgjencën e kësaj sfide. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë, por për vetë popullin shqiptar. Korrupsioni ka një kosto shumë të lartë dhe njerëzore”, theksoi McIlwham. Ajo e cilëson tryezën e djeshme si një shembull të rëndësishëm i përqasjes së përbashkët që do të nevojitet për të trajtuar këtë problem.
Erla Mëhilli - “Bashkia e Tiranës simbol i korrupsionit”
Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Tiranës si simbol të korrupsionit. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli tha se “Njeriu që ka shndërruar Bashkinë e Tiranës në simbolin e shëmtuar të korrupsionit në Shqipëri dhe në botë. Kështu në këtë Bashki, 70% e lejeve të ndërtimit merren nga Rama, Shkreli dhe Eftimi, ndërkohë që vetëm për “qytezën Rama-Delijorgji” u dhanë leje ndërtimi për 52 pallate”. Sipas saj, “Edvin Kristaq Rama, që mburret me krimet e të atit, është i vetmi Kryetar Bashkie në botë që për të ndërtuar pallatet e tij u bllokon rrugën qytetarëve në qendër të qytetit”.
Armela Imeraj - “Berisha të dorëzonte ministrat e tij”
Partia Socialiste në deklaratën e djeshme për mediat tha se: “Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, Sali Berisha duhet të ndërmerrte një veprim shumë të thjeshtë, por tepër domethënës: të dorëzonte përpara drejtësisë ministrat e tij, Mediu apo Olldashi, apo të shkonte dhe vetë para drejtësisë për të dëshmuar se si shpenzoi 5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për një copë rrugë, e cila u përdor vetëm një ditë të fushatës elektorale”. “Por, Berisha zgjodhi që ditën e luftës kundër korrupsionit, ta festonte duke harxhuar 4 milionë euro në 2 orë, për të organizuar një antimiting që nuk do e shpëtojë nga kërkesa e një populli të tërë për të hapur kutitë dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve”.
Prokuroria: Imuniteti na pengon
bledar hoti
Imuniteti i zyrtarëve të lartë në Shqipëri është një pengesë për Prokurorinë e Përgjithshme në hetimin e rasteve për korrupsion. Kështu ka deklaruar në takimin e djeshëm përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, i cili njëkohësisht është drejtuesi i Drejtorisë Antikorrupsion. “Imuniteti i zyrtarëve të lartë dhe të drejtësisë mbetet një problem për hetimin e rasteve të korrupsionit. Duhet të luftohet korrupsioni në nivelet e larta. imuniteti i zyrtarëve duhet të hiqet”, tha Kraja. Duke marrë shembuj mbi luftën në korrupsionin në nivelet e poshtme të administratës, përfaqësuesi i Prokurorisë deklaroi se “ka ardhur koha që të goditet korrupsioni në nivelet e larta. “Korrupsioni ekziston në të gjitha nivelet e administratës, si në nivelin e ulët dhe të lartë, dhe është një problem shqetësues për vendin tonë. Këto konstatime janë shqetësuese, por prezantojnë dy të vërteta, e para që korrupsioni është pothuajse i përhapur në të gjitha nivelet. Dhe e dyta që duhet goditur akoma më shumë korrupsioni në nivelet e lartë. Në ndërgjegjen e njerëzve në Shqipëri, aq sa që mund të themi se ato e shohin normale. Korrupsioni duhet të goditet në nivelet e larta të zyrtarëve”, deklaroi Kraja. Në këtë takim Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi bëri prezent disa prej masave parandaluese që ka marrë ky institucion në kuadër të luftës antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar. “Gjatë vitit 2009 kemi pasur 190 raste të dyshuara për pastrim parash. Janë bllokuar 4 milionë euro ndërsa janë sekuestruar nga Prokuroria edhe Gjykata 3.1 milionë euro të dyshuara”, tha Doçi. Përfaqësues nga organizmat joqeveritarë diskutuan gjerësisht mbi aktivizimin e tyre të deritanishëm në projektet kundër korrupsionit, si edhe prezantuan ide e strategji për forcimin e bashkërendimin e luftës kundër korrupsionit. Kohët e fundit raportet e ndërkombëtarëve kanë nxjerrë Shqipërinë në nivele të ulëta në klasifikimet në nivelin e korrupsionit. I tillë ishte raporti i fundit Transparency International Albania, ku kishte zbritur 10 shkallë në krahasim me vitin e kaluar.