E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Bojkoti jo evropian, të gjithë të përmbushin kushtet

 

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olli Rehn i bëri dje thirrje klasës politike të gjejë zgjidhje, për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës. Duke folur në një prononcim për mediat në përfundim të konferencës së organizuar nga Këshilli i  bashkëpunimit rajonal të presidencës suedeze mbi rajonit për kapërcimin e krizës ekonomike, Rehn tha se bojkoti i Parlamentit është në kundërshtim me maturimin demokratik. “Nuk është një mënyrë evropiane e të bërit të politikës. Të gjithë duhet të sigurojnë, që të përmbushen kushtet, që ky bojkot të marrë fund. Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagenit, është stabiliteti politik dhe maturia demokratike. Bojkoti parlamentar mund të përkufizohet si në kundërshtim me maturinë demokratike”, theksoi Rehn. I pyetur mbi liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së, ai theksoi se vendi ynë duhet të plotësojë fillimisht kushtet. “Përsa i përket Shqipërisë dhe Malit të zi, të dy vendet kanë bërë përparime. Të dy presin komisionin që ne të paraqesim kërkesat për aplikim dhe për gatishmërinë e tyre për statusin e kandidatit. Shpresojmë që Shqipëria bashkë me Bosnjen të ndjekin shpejt vendet e tjera dhe të plotësojnë kushtet për hyrjen në BE pa viza”, bëri të ditur Komisioneri për Zgjerimin. Në konferencë morën pjesë 200 zyrtarë të lartë të rajonit, vendeve anëtare të Ballkanit, Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Norvegjisë. Pjesëmarrësit dhanë mbështetjen e tyre për integrimin evropian të Ballkanit në tërësi dhe shtynë qeveritë përkatëse të përparojnë me shpejtësi në rrugën e reformave. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›