E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrihet Ndërmarrja Komunale, varrezat në duart e privatit

 

SHKODER - Dhënia në administrim e varrezave publike tek privatët duket se për momentin është zgjidhja më e mirë që ka gjetur Bashkia e Shkodrës. Një vit më parë është vendosur që shërbimi i varrezave të shkojë tek të tretët, pasi mirëmbajtja që i bëri Ndërmarrja Komunale u cilësua e dështuar. Bashkia vendosi pas shumë alternativash që të shkrijë Ndërmarrjen Komunale, pasi shërbimet që kryente ajo kishin një cilësi shumë të ulët. Qytetarë të shumtë janë ankuar dhe kanë protestuar në bashki mbi gjendjen e mjeruar në të cilën ndodheshin varrezat publike. Nisur nga ky realitet Bashkia e Shkodrës ka bërë tenderin për të përcaktuar firmën fituese. Specialistët e Bashkisë ndërkohë kanë bërë një preventiv të shpenzimeve për mirëmbajtje në vit për varrezat publike dhe është rënë dakord që cila firmë të shpallet fituese duhej të plotësonte kushtet e mirëmbajtjes. Mirëmbajtja e varrezave në vit ka një fond prej 4 milionë lekësh të reja. Për herë të parë varrezat publike të Shkodrës kanë punonjës pastrimi duke u “çliruar“ kështu varret nga shkurret dhe ferrat. Ndërkohë paralelisht me këtë politikë të re, Bashkia e Shkodrës ka mundur të sigurojë financimin për shpronësimit, duke i lënë mundësi zgjerimit të sipërfaqes së varrezave, duke e zgjidhur të paktën përkohësisht problemin e zgjerimit të varrezave. Banorët e zonës që shpronësohet kanë qenë të pakënaqur për fondin që i është ofruar vite më parë për shpronësim. Pas disa takimesh është gjetur gjuha e përbashkët me ta. Fondi i akorduar për vitin 2009 është 8.7 milionë lekë, i cili shkon për shpronësimin e banorëve të komunës Rrethina. Po me fondet të siguruara nga Bashkia e Shkodrës është bërë rikonstruksioni i rrugës hyrëse për në varreza me një sipërfaqe 2500 m2 si dhe është riparuar e ndërtuar një pjesë e murit rrethues të varrezave publike me një volum punimesh prej 50 m 3. Ky mur rrethues zgjidh një tjetër problem të madh për varrezat, futjen e kafshëve në sipërfaqen e tyre. Në të ardhmen, Bashkia Shkodër ka parashikuar shpronësimin e sipërfaqeve të tokave në vazhdim, si dhe sistemimin e një sipërfaqeje toke që ndodhet në brendësi të varrezave që do të shërbejë si parking për automjetet. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›