Rruga “Sadik Petrela”, shëmbëlltyra e katastrofës urbane të Edi Ramës
Është rikonstruktuar 4 herë dhe përsëri është në gjendjen e 10 viteve më parë
Rruga “Sadik Petrela” në zonën e quajtur Kodra e Priftit në Tiranë, nuk është as e para dhe as e fundit në kryeqytetin e Shqipërisë që karakterizohet nga gropat e mëdha, të cilat vështirësojnë kalimin e mjeteve dhe të këmbësorëve. Por, e veçanta e kësaj rruge është asfaltimi i saj thuajse çdo dy vjet.
“Rruga nuk është shtruar njëherë, por është shtruar plot 4 herë”, thotë një banorët, ndërsa e konfirmon edhe një tjetër teksa e quan të habitshme se si është e mundur që një segment rrugor në kryeqytet, i cili edhe pse supozohet se u ri-konstruktua, brenda pak muajsh kthehet në gjendje mizerable.
“Brenda vitit kjo skadon. Është shtruar, gjasme është rregulluar, prapë e njëjta punë është. Shikoni se çfarë bëhet këtu”, deklarojnë banorët, teksa nuk kursejnë kritikat ndaj Bashkisë së Tiranës, e cila sipas tyre është përgjegjëse për këtë cilësi punimesh, thuajse jashtë çdo standardi.
Investimi i parë në këtë rrugë është realizuar gjatë viteve 2001-2002, por është e pa-arkivuar në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Në shkurt të vitit 2006 u inauguruan punimet për sistemimin e infrastrukturës për bllokun “Kodra e Priftit”, me një vlerë prej gati 200 milionë lekësh.
Kryebashkiaku Edi Rama që ishte i pranishëm në inaugurimin e këtyre punimeve do të deklaronte se “kjo vepër e re që shpreh konsolidimin e plotë të institucionit të bashkisë, është një dëshmi e gjallë e faktit se jo vetëm asgjë nuk na ndalon por edhe sado që të lehin qentë karvani do të ecë përpara”.
Në dhjetor të vitit 2007 u dhanë nga paratë e taksapaguesve të Tiranës edhe 23 milionë lekë, pikërisht për një tjetër rikonstruksion të kësaj rruge. Këtë herë, kryebashkiaku Rama në inspektimin e punimeve tha se “kjo rrugë simbolizon politikën e premtimeve të mbajtura”.
Është një rrugë e cila mbyll një plagë të madhe urbane në këtë zonë”. Në muajin gusht 2008 kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama rikthehet në këtë zonë. Rikthehet për të nisur përsëri punimet në rrugën “Sadik Petrela”, për të propaganduar shtrimin e 62 rrugëve me vlerë 200 milionë lekë. Këtë herë u premton banorëve se nuk do të ecim më mbi baltë.
Por, në të vërtetë konstatohet e kundërta. Dhe kjo e kundërt është tepër e hidhur për banorët e asaj zone.
Jemi në vitin 2011-të dhe rruga “Sadik Petrela” e cila është financuar 4 herë nga bashkia e Tiranës me paratë e taksapaguesve kryeqytetas, është në të njëjtën gjendje të 10 ditëve më parë. Lind pyetja tepër e sinqertë; ku kanë shkuar miliona lekë të taksapaguesve? Kush duhet të përgjigjet për miliona lek të harxhuara? A është kjo përgjegjësi e bashkisë dhe kryetarit të saj Edi Rama?
Pikërisht, kjo është pyetja që do ndjekë nga pas Edi Ramën gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ndërsa qytetarët presin një përgjigje po aq sa të sinqertë sa pyetja: “ku kanë shkuar paratë e taksave të tyre”?