OSBE: Shefi i Misionit të ODIHR-it nuk zgjidhet nga Berisha
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, tha se mbështet misionin e ODIHR-it
TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka mbështetur dje zgjedhjen e bërë nga Misioni i ODIHR-it, për emërimin e ambasadores, Audrey Glover, në krye të këtij misioni.
Kundrejt shqetësimit të shfaqur publikisht nga Tirana zyrtare për të kundërshtuar zgjedhjen e saj në krye të misionit, Bosch ka sqaruar se ODIHR-i luan rolin e gjykatësit dhe se ajo nuk mund të zgjidhet nga palët e përfshira. Ambasadori i OSBE-së sqaroi se ODIHR-i nuk merr udhëzime nga ndonjë organ tjetër.
"ODIHR-i nuk merr udhëzime nga asnjë organ tjetër. Për sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve, ai vepron si një gjykatës, dhe, ashtu si në rastin e një ndeshjeje futbolli, gjykatësi nuk zgjidhet nga palët e përfshira në ndeshje, por nga organe më të larta", - tha Bosch. Ambasadori i OSBE-së ka siguruar se organizata që ai drejton është mbështetës i ODIHR-it. "ODIHR-i nuk merr udhëzime nga askush.
Për sa i përket sektorit të vëzhgimit të zgjedhjeve, sepse kanë një sektor tjetër që merret me të drejtat e njeriut, ata veprojnë si në rolin e arbitrit. Arbitri asnjëherë nuk zgjidhet nga ekipet, por nga organe më të larta. Kjo është një çështje që i takon ODIHR-it. Ne jemi thjesht vëzhgues të asaj që po ndodh. Por duke qenë se ODIHR-i bën pjesë në organizatën time, unë jam mbështetës i ODIHR-it dhe përkrah ODIHR-it",- shtoi Bosch.
Reagimi i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë vjen pikërisht pas publikimit në media të shqetësimit të Kryeministrit Sali Berisha, për të mos pranuar si shefe të Misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme, ambasadoren Audry Glover. Arsyeja lidhet me 15 vite më parë, kur ambasadorja Glover ishte drejtoreshë e ODIHR-it, dhe monitoroi zgjedhjet e vitit '96, raporti për të cilën, nga qeveria e atëhershme, u cilësua si jo realist.