ODIHR, kundër Berishës për shefen e misionit, Glover
Zëdhënësi i ODIHR-it tha se, nëse qeverive do t'u jepej roli për të zgjedhur vëzhguesit, atëherë do të ishte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve
TIRANË- Pavarësisht pakënaqësisë së qeverisë shqiptare, ODIHR-i nuk ka ndërmend që të ndryshojë shefen e misionit, ambasadoren, Audry Glover. Në një intervistë për "BBC"-në, seksioni shqip, zëdhënësi i ODIHR-it, Jens-Hagen Eschenbaecher, ka deklaruar se ODIHR-i nuk ka ndonjë arsye për të kundërshtuar zgjedhjen e ambasadores, Glover, e cila ka një përvojë të gjatë në kryesimin e misioneve të vëzhgimit.
"Është përgjegjësia jonë që të monitorojmë zgjedhjet, të ngremë një mision profesionist vëzhgimi të zgjedhjeve.
Ambasadorja Glover është një profesioniste me shumë përvojë për zgjedhjet, ka një përvojë të gjatë në kryesimin e misioneve të vëzhgimit të ODIHR-it në të gjithë rajonin e vendeve të OSBE-së. Kohët e fundit ajo ka qenë kryetare e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në SHBA, për zgjedhjet presidenciale.
Ne nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim cilësitë e saj të jashtëzakonshme për këtë detyrë, që ajo ka dhënë prova se e ka kryer shumë herë, prandaj ne nuk do ta ndryshojmë pozicionin lidhur me këtë", - tha zëdhënësi Jens-Hagen Eschenbaecher, duke pohuar në këtë mënyrë të vërtetën pse qeveria shqiptare ka kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
I pyetur se a ka të bëjë kjo pengesë me faktin se ambasadorja Glover ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri, zëdhënësi i ODIHR-it u përgjigj: "Kjo është arsyeja që është dhënë. Ky nuk është hapi i duhur.
Qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it. Kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it. Është përgjegjësia e qeverive të organizojnë zgjedhje dhe është përgjegjësi e ODIHR-it për t'i vëzhguar ato. Dhe ka një arsye të mirë për këtë praktikë standarde.
Nëse qeverive do t'u jepej roli për të zgjedhur vëzhguesit, kjo, sigurisht, do të thoshte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve". Ai, sqaroi gjithashtu se, misioni i ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit do të jetë një mision standard vëzhguesish, siç dërgohen edhe në vendet e tjera të OSBE-së.
"Do të ketë vëzhgues afatgjatë që do të vijnë së shpejti në Shqipëri dhe në ditën e zgjedhjeve ne do të kemi një numër të madh vëzhguesish afatshkurtër. Vëzhguesit do të ndjekin të gjithë procesin e zgjedhjeve para ditës së zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas ditës së zgjedhjeve",- tha ai.
Ai shtoi se ODIHR-i shpreson të dislokojë më shumë se 400 vëzhgues afatshkurtër, përveç ekspertëve dhe vëzhguesve afatgjatë, që do të jenë në terren. Në intervistën e tij, zëdhënësi i ODIHR-it theksoi se gjatë misionit në Tiranë, ata kanë hasur pengesa, pasi ende nuk kishin mundur që të zhvillonin një takim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.