E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Të mos zvarritet më reforma zgjedhore



OSBE-ja shprehet e shqetësuar se reforma zgjedhore po zvarritet. “Reforma zgjedhore u zhvillua në mënyrë tejet të zvarritur nga shtatori 2007 deri në prill 2008. Megjithëse aktorët kyçë kanë shpallur në mënyrë të përsëritur vullnetin e tyre politik për të rënë dakord për një Kod Zgjedhor brenda korrikut 2008, deri sot procesi ka vazhduar i ngadaltë, në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor”. OSBE-ja këshillon se duhet kërkuar konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe paketa për të cilën do të bihet përfundimisht dakord duhet të lejojë kohë të mjaftueshme për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve.
OSBE-ja vëren se projektligji për transmetimet radio-televizive nuk ofron garanci të mjaftueshme dhe ka ende një mungesë përparimi në hartimin e një strategjie dixhitale të konsultuar gjerë. “Kjo situatë bie në kundërshti me Planin e Veprimit të adoptuar në vitin 2007 me Komisionin Europian dhe Këshillin e Europës (KE), i cili parashikon miratimin e një ligji të ri për transmetimet përmes një procesi transparent”. KKRT-ja vazhdon të kritikohet për vendimet e saj të dukshme jotransparente të licencimit dhe për mungesën e pavarësisë së saj.

Raporti: Rrëzimi i dekreteve të Presidentit, votë politike e maxhorancës

Kriza për dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk ka shpëtuar pa tërhequr vëmendjen e OSBE-së. Në raportin e kësaj të fundit, rrëzimi i dekreteve nga maxhoranca është cilësuar si një votë politike, ndërkohë që OSBE-ja ka vlerësuar vendimin e Presidentit të Republikës për zgjidhjen e krizës së dekreteve. “Në qershor 2008, gjashtë vendet vakante për Gjykatën e Lartë ngjallën debat. U zhvilluan debate të ndezura në lidhje me çështjen nëse Presidenti veproi në mënyrë kushtetuese në procedurat e emërimeve për Gjykatën e Lartë. Qeveria argumentonte se Presidenti paraprakisht duhet të kishte hyrë në diskutime joformale me Kuvendin. Në të vërtetë, shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të Presidentit nga ana e Kuvendit si një votë politike përkundrejt vendimit të Presidentit për të mos hyrë në konsultime. Çështja u zgjidh vetë pasi Presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide”, thuhet në raportin e OSBE-së për Shqipërinë.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›