Vjeshtë 2009, Modelet e këpucëve me qafa
Vjeshta po afron ngadalë, bashkë me të edhe tendencat e reja të këpucëve me qafa. Stilistët propozojnë modelet që do të kenë këpucët që do të mbajmë në këmbë për vjeshtën 2009. Midis modeleve të paraqitura bie në sy se pjesa më e madhe e këpucëve me qafa do të jenë me taka të larta dhe formë elegante. Por midis këtyre këpucëve, sigurisht që do të ketë edhe modele më praktike, të cilat mund të përdoren gjerësisht në jetën e përditshme. Takat janë të larta dhe të holla, ndërsa përsa i përket ngjyrave mbizotëron e zeza. Ndonëse e zeza është një ngjyrë klasike, ajo nuk del kurrë nga moda.
Kombinimi
Të gjithë kemi veshje të zeza në dollapin tonë dhe sipas stilistëve, kjo vjeshtë është momenti i duhur për t’i nxjerrë, për t’i hequr “pluhurin” dhe për t’i veshur.
Gjithnjë e më shumë njerëzit po bëhen të ndërgjegjshëm, që një imazh i mirë, transmeton tek të tjerët sukses dhe siguri. Disa rregulla bazë dhe pak fantazi janë elementët e duhur për të qenë gjithnjë e paraqitshme. Për të pasur një pamje perfekte, çdo njeri duhet të bëjë fillimisht një vlerësim real të vetes dhe të vishet me veshjen e duhur, e përshtatur kjo dhe në tendencat e modës. Këtë sezon nga të gjithë stilistët pranohet se është ngjyra e zezë ajo që do të mbizotërojë në veshjen e shqiptarëve. Kjo gjë vjen dhe në përshtatje me modën e vendeve të tjera që janë lider në botën e modës, si Parisi, Londra apo Milanoja, të cilat këshillojnë ngjyrën e zezë.
Dimri
Ndërsa përsa i përket dimrit 2009-2010 ndoshta do të shndërrohet në sezonin më klasik për sa i përket veshjeve, pasi ngjyra e zezë konsiderohet mbretëresha e klasit. Të gjithë ata që kanë dëshirë që të jenë në koherencë me modën ndërkombëtare duhet patjetër të përfshijnë në gardërobën e tyre ngjyrën e zezë. Kryesuese e gardërobës së grave në karrierë, janë kostumet serioze të ndërthurur me materiale cilësore, si dhe me modele të kohës. Firmat, të cilave mund t’u besosh krijim e stilit individual janë të shumta në numër. Mjafton të shikosh modelet e tyre paraardhëse për të vendosur nëse stili i tyre përshtatet me atë individual. “Givenchy”, “Chloe”, “Balenciaga” ose “Burrbery” janë disa nga firmat që u përshtaten zonjave të hekurta, duke qenë se ofrojnë modele serioze, por edhe të kohës, ndërthurur me elementin klasik, i cili duhet të jetë gjithmonë i pranishëm. E njëjta gjë vlen jo vetëm për kostumet me pantallona apo me fund, por edhe për aksesorët ndihmës: si çantat, të cilat duhet të kombinohen me ngjyrën e këpucëve, stolitë e deri te krehja e flokëve, e cila duhet të përshtatet me veshjen. Mbizotërimi i toneve të errëta, pothuajse krejtësisht e zezë vlen dhe për meshkujt.
22 Gusht 2009