E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, anual për luftën kundër dhunës në familje

Autori i Lajmit: red.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë nxjerrë në dritë një udhëzues, që pritet të ndihmojë gjykatat në zbatimin e ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. “Manuali i gjyqtarit për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes” u jep gjyqtarëve udhëzime për interpretimin dhe zbatimin e ligjit, i cili hyri në fuqi më 1 qershor 2007. Gjithashtu, në të jepen këshilla për mbajtjen e seancave për urdhrat e mbrojtjes dhe për lëshimin e urdhrave civile të mbrojtjes kundër abuzuesve. Kryetari i Prezencës së OSBE, Ambasadori Robert Bosch, vlerësoi sot në një komunikim për mediat, se miratimi i ligjit qe një hap i rëndësishëm, “por tani është e rëndësishme që zbatuesit e tij të dinë që ai ekziston, të njihen me përmbajtjen e ligjit, si dhe të bashkërendojnë punën për ta zbatuar”. “Autoriteti i gjykatave për të lëshuar urdhra mbrojtës civilë u ofron mbrojtje të shpejtë viktimave të dhunës dhe përçon mesazhin që dhunuesit do të përgjigjen para ligjit”, shtoi Ambasadori Bosch. Mësohet se libri dhe formularët standardë të urdhrave të mbrojtjes do t u shpërndahen gjykatësve në të tërë Shqipërinë. Në kuadër të të njëjtit projekt, të titulluar “Aksesi i Grave në Sistemin e Drejtësisë”, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, Shkollën e Magjistraturës, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, ka trajnuar 300 gjyqtarë, avokatë, oficerë policie dhe përfaqësues të shoqërisë civile për ligjin kundër dhunës në familje. Joana Karapataqi, shefe e zyrës për Çështjet Politike dhe Marrëdhëniet me Publikun, evidenton dhe faktin se Prezenca përgatiti dhe botoi manualin “Si të kërkojmë mbrojtje nga dhuna në familje”, si dhe ndihmoi në hartimin e vetë ligjit, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 01/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›