OSBE bën thirrje për mbrojtjen e lirisë së shprehjes

Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në prag të 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të garantojnë lirinë e shprehjes.
“U bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të garantojnë lirinë e shprehjes dhe i inkurajoj institucionet e mediave dhe shoqërinë civile që të forcojnë rolin e tyre në mbrojtje të lirisë së shtypit.
“Ka akoma raste kur gazetarët janë cak i trysnive dhe frikësimit; kjo minon lirinë e shprehjes dhe mediat e lira në Kosovë", ka thënë ai përmes një deklarate për media.
“I dënoj fuqishëm sulmet e fundit dhe kërcënimet ndaj gazetarëve të Televizionit Klan Kosova, transmetuesit publik RTK, të përditshmes Zëri, dhe pronës së Radio Kolashin. Institucionet duhet të promovojnë dhe të ruajnë një ambient në të cilin mediat mund të punojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurte, pa ndikim dhe ndërhyrje të papranueshme", është shprehur ai.
“I nxis institucionet e Kosovës të përmbahen nga përpjekjet për të ndikuar në politikat redaktuese të mediave të pavarura dhe të garantojnë lirinë e shprehjes, e drejtë kjo që gëzohet botërisht. Gjithashtu, u bëj thirrje institucioneve të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të jenë më të zëshëm në mbrojtje të lirisë së shtypit.”/Indeksonline/